Transmetuar më 16-05-2013, 18:14

Korçë, NOA.al – Partia Socialiste prezantoi sot kandidatët e skuadrës së Rilindjes në qytetin e Korçës.

I kënaqur më listën e kandidatëve për deputetë të PS-së në Korçë, kryetari Edi Rama tha se, “ky qark nuk meriton qeverinë që kemi. Ky qark nuk meriton një qeveri që u thotë shqiptarëve se duhet të jenë të lumtur. Duhet të jenë të lumtur se ua ka dyfishuar rrogat mësuesve ndërkohë që janë shumëfishuar çmimet. Dhe sot mësuesit, mjekët, rrogëtarët e shtetit për të mos folur për 1 milionë të papunët blejnë më pak se ç’blenin 8 vjet më parë”; citon Noa.al.

“Sot jeta është bërë më e shtrenjtë dhe liria është bërë më e munguar. Si është e mundur që edhe këtu në Korçë në kryeqytetin e shkronjave shqipe, në qytetin e mësonjëtores shqipe, në qytetin e arsimit dhe të dijes, mësuesit të trajtohen si robër të pushtetit, të vendosen nën presionin e përditshëm për të qenë vegla të pushtetit dhe të tërhiqen zvarrë nëpër mitingje dhe koncerte kundër opozitës”, tha mes të tjerash Rama.

Sipas kryetarit të opozitës, Korça duhet të japë në 23 qershor leksionin e madh jo vetëm për këta që po ikin, por për të gjitha qeveritë që do të vijnë, se kurrë më dora e pushtetit nuk mund të ngrihet mbi mësuesit dhe kurrë më frika nga pushteti nuk mund të kallet në shpirtin e mësuesve.

Duke analizuar gjendjen e fshatit në këto 8 vjet, Rama tha se, bujqit dhe fermerët, punëtorë të palodhur të Korçës, janë dëshmitarë sesi ka degraduar, sesi është rrënuar me tej fshati dhe bujqësia dhe sesi këneta e Maliqit ka filluar të nxjerrë përsëri kurrizin e vet mbi sipërfaqe. “Rikthimi i kënetës është aktakuza më e fortë për qeverinë në ikje të Saliut dhe është arsyeja më e fortë për çdo korçar, të cilit i dhimbset Korça, për çdo qytetar të këtij qarku të cilit i dhimbset sakrifica dhe mundimet e brezave, ashtu sikundër dhe e ardhmja e fëmijëve për ta ndëshkuar në 23 qershor qeverinë.”

Sipas Ramës, ka për të gjithë një arsye për ta votuar Partinë Socialiste. “Por çdo korçar e çdo devollit, çdo kolonjar, e çdo pogradecar që punon me tokën duhet të votojë Partinë Socialiste për ta ulur me atë votë koston e prodhimit dhe për të rritur fuqinë prodhuese të tokës së vet duke rritur kështu të ardhurat për familjen e vet dhe duke ndihmuar që dhe qyteti të blejë ushqime me çmime më të arsyeshme. Ne nuk mund të vazhdojmë më kështu me një fshat që nuk arrin dot të prodhojë mezi mbijeton dhe me një qytetet që dridhet kur shkon në pazar sepse çmimet janë të papërballueshme”, vuri në dukje ai.

Më pas në fjalën e tij në mitingun në qendër të Korçës, Rama preku edhe gjendjen e vështirë të arsimit në vend. “Qytetarët e nesërm të BE-së, që kanë mësuar shkrim e këndim, por që nuk e vënë dot në përdorim as shkrimin dhe as këndimin. Edhe kaq mjafton për ta shporrur një qeveri, e cila nuk arriti dot në 8 vjet të bëjë më shumë sesa të shkatërrojë më shumë se gjysmën e brezit të 15-vjeçarëve”, vijoi ai.

Rama u bëri thirrje, drejtorëve të shkollave në Korçë, Pogradec, Devoll dhe në Kolonjë, të mos humbasin të drejtën për t’u respektuar në punë për t’u respektuar si pjesëtarë të komunitetit tuaj, duke u bërë zëdhënës të presioneve mbi mësuesit dhe mbi votuesit e parë nëpër shkolla.o.k/noa.al

Më shumë foto te Galeria

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit