



Tiranë, 16 maj 2013, NOA.al- Kryetari i bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika në emër të strukturave të Partisë Socialiste të këtij qarku dhe të zgjedhurve vendorë, është deklaruar kundër kandidimit të Arben Malaj si deputet i pavarur.
“Jemi kundër veprimit politik të Arben Malaj për të kandiduar si kandidat i pavarur në qarkun e Vlorës në zgjedhjet politike që do të mbahen në 23 qershor. Dhe jo vetëm që ne nuk e mbështesim, jo vetëm që jemi kategorikisht kundër, por jemi të gjithë shumë të indinjuar e të revoltuar për faktin që një anëtar i familjes sonë të madhe socialiste, një drejtues i PS në qendër, me të drejtë fjale e vote në kryesi e në strukturat drejtuese, në një formë që ne e vlerësojmë si të pabesë e të pamoralshme, del nga pas shpine e kërkon të përdhosë atë që do të jetë në qarkun e Vlorës e në të gjithë Shqipërinë. Fitorja historike e këtij populli që prej 8 vitesh mezi pret të çlirohet me fuqinë e votës së tij nga pushteti hajdut e vrastar i Sali Berishës”, shprehet Gjika, citon Noa.al.
Në vijim ai nënvizon se Arben Malaj i është borxhli Vlorës, vlonjateve dhe socialistë, pasi vetëm me votën e socialistëve vlonjatë bëri përpara në karrierën e tij politike, në Kuvend e në Qeveri.
Duke mos mohuar kontributin e tij, Gjika thekson se mandati i fundit si deputet, e sidomos sjellja e tij e këtyre ditëve, dëshmojnë për një politikan të përkëdhelur e të llastuar keqazi nga kjo mbështetje.
Ai shton po ashtu se si profesionist i llogarive, Arben Malaj e di shumë mirë se ky kandidim, si gjoja i pavarur, nuk mund ta çojë atë asgjëkund dhe aq më pak në Kuvendin e Shqipërisë.
Sipas kryebashkiakut të Vlorës si kandidimi i Arben Malaj dhe ai i Dritan Priftit, ashtu edhe hedhja në prehrin e Berishës e Kastriot Islamit Islamit etj, janë tentativa për t’i dhënë alibi Sali Berishës që synon t’i vërsulet me babëzi votës popullore për ta tjetërsuar e për ta vjedhur, e për të thënë pastaj se nuk ishte ai që i vodhi, por ishte PS që humbi për shkak të gjoja përçarjes.
Ndër të tjera Gjika thekson, “Vendi yt, Arben Malaj, është përkrah nesh, ashtu siç e do nderi yt e i familjes tënde. Presim ta zësh sa më parë e me modesti atë vend. Mëritë personale do të dimë t’i kapërcejmë, si në çdo familje të shëndoshë”.a.y/noa.al
Malaj përjashtohet nga lista, Nano: Jemi më socialistë se Edvin Rama
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





