Transmetuar më 16-05-2013, 12:28

Kuçovë, 16 maj 2013, NOA.al- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta u ndal në Kuçovë të Beratit për të prezantuar kandidatët për deputetë.

Gjatë fjalës së tij me këtë rast Meta deklaroi se nëpërmjet rrotacionit, hapet një faqe e re për Shqipërinë më 24 qershor.

Ai shprehu bindjen për fitoren e padiskutueshme, duke nënvizuar se koalicioni i Aleancës për Shqipërinë Evropiane është koalicioni më i gjerë që ka ndodhur ndonjëherë, në këto dy dekada të pluralizmit politik në vend, duke e cilësuar si një koalicion edhe më të gjerë sesa e gjithë e majta.

Sipas tij koalicioni opozitar është një front i gjerë opozitar përballë një të djathte të përçarë dhe njëkohësisht në panik.

Lidhur me deklaratat e Kryeministrit Sali Berisha për liberalizimin e vizave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meta shprehet se, “Amerika ia ka hequr me kohë vizën doktorit, pavarësisht së ai premton se do t’u heqë vizat shqiptarëve me SHBA. Dhe kjo për arsye sepse përqendrimi i të gjitha pushteteve në një dorë të vetme është e papranueshme, jo vetëm për perëndimin, por edhe për ne si qytetarë të një vendi që dëshiron dhe do të integrohet në Bashkimin Evropian. Shikoni se sa jo serioz është Berisha edhe më çështjen e integrimit. Ka akuzuar për një kohë të gjatë PS-në se nuk voton tre ligjet, por kur unë propozova prej dy javësh një kompromis të cilin Edi Rama e pranoi, që tre ligjet të votohen tani në këtë parlament, vetëm me një ndryshim, që ato të hyjnë në fuqi në shtator me parlamentin e ri. Berisha bëri sikur nuk e dëgjoi këtë kompromis apo propozim dhe vazhdon atë refrenin e tij të vjetër duke thënë hajde votojini se unë tre ligjet i kam këtu”.

Ai tha se përgjegjësia e Berishës është e pashmangshme, pasi është kthyer në një pengesë për vendin, për bashkëpunimin politik, gjë që është domosdoshmëri për të çuar përpara reformat e integrimit, jeton në një Shqipëri vetëm me suksese.

Në qarkun e Beratit LSi kandidon me Nasip Naçon, Gledjon Rehovicën, Selfo Kapllanin, Silva Cakën, Lefter Kuqon, Valbona Papën.a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit