

Tiranë, 16 maj 2013, NOA.al- Kryeministri Sali Berisha në orët e para të ditës së sotme u ndal në shkollën e Mesme Profesionale “Karl Gega”, në Tiranë, për të inauguruar rikonstruksionin e kësaj shkolle.
Në fjalën e tij kreu i qeverisë theksoi se investimet në shkolla do të vijojnë pafund, deri në ndërtimin dhe rindërtimin e çdo shkolle.
“Sistemi profesional për rrethana të caktuara njohu thuajse kolaps të plotë. Në këto vite kemi bërë dhe do bëjmë gjithçka për ta vendosur në piedestalin që meriton arsimin profesional. Ideja se arsimi profesional pengon ndjekjen e shkollave të tjera dhe universiteteve është tërësisht e gënjeshtër. Arsimi profesional iu lejon të ndiqni çdo shkollë që doni”, deklaroi Berisha, citon Noa.al.
Ndër të tjera Kryeministri theksoi se për arsimin profesional ka uri të madhe tregu, duke theksuar se duhet ecur në përputhje me nevojat e tregut.
Berisha theksoi se duhet shtuar personeli i shkollës, në mënyrë që të mbështetet arsimimi në këtë shkollë duke u kthyer në një qendër të suksesshme.
Ai garantoi se për gjithë të rinjtë e diplomuar në shkolla profesionale do jepet një fond fillestar, me anë të të cilit mund të nisnin bizneset e tyre. Edhe nga kjo shkollë shefi i mazhorancës premtoi se rrogat për mësuesit në mandatin e ardhshëm do bëhen 700 dollarë. Duke iu kthyer propozimit për votimin e 16 vjeçarëve, ai tha se kundërshtuesit e kësaj nisme duhet të vijnë në shkolla të tilla për të parë punën e tyre, ndërsa tha se do luftohet deri në fund deri sa 16 vjeçarët të votojnë.a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





