

Nga mitingu sot pasdite në Elbasan
Turi elektoral i kryesocialistit Rama është ndalur pasditen e sotme në Elbasan, ku sapo ka përfunduar një takim i zgjeruar me simpatizantë të Partisë Socialiste.
Para qindra të pranishmëve, z.Rama paralajmëroi se çdo drejtues shteti që angazhohet për të ushtruar terror psikologjik mbi rrogëtarët, pas 23 qershorit do të dalë përpara përgjegjësisë ligjore dhe penale. Kurse deklaroi se do të anulohen gjobat e vendosura nga shteti, gjatë periudhës paralaektorale.
“Presionet po rriten mbi të gjithë ata që shteti duhet t’i respektonte si shërbëtorë të popullit, por që pushteti i trajton si skllevër duke i kërcënuar në bukën e gojës. Mbi të gjithë mësuesit, mbi të gjithë personelet e spitaleve, mbi të gjithë rrogëtarët e shtetit, kudo ku janë, po bëhet një presion kriminal për t’i detyruar që t’i bashkohen fushatës së Partisë Familjare të kryeministrit dhe për t’i dhunuar psikologjikisht me qëllim që t’u marrin votën”, – tha z.Rama.
Kurse lëshoi thirrjen: “Ne u themi të gjithëve mos u përulni, ruajeni vendin e punës, por mos u përulni! Ndërkohë zotohemi publikisht se çdo drejtor shkolle, çdo drejtor spitali, çdo drejtor i çdo pjese të shtetit që është i angazhuar apo do të angazhohet për të ushtruar terror psikologjik mbi rrogëtarët, mbas 23 qershorit do të dali përpara përgjegjësisë ligjore dhe penale”.
Rama tha gjithashtu se “po shtohen presionet ndaj administratës, si dhe vala e gjobave ndaj njerëzve të këtij vendi, që në 23 qershor do të shkojnë në votime”.
“Ne zotohemi se nuk do të njohim asnjë gjobë që është vendosur në 4 muajt e fundit përpara 23 qershorit. Madje, çdonjëri që ka marrë një gjobë që nga fillimi i muajit mars duhet ta mbajë atë me krenari si një certifikatë në betejën me këtë regjim të korruptuar, që qëndron lidhur pas pushtetit dhe në mënyrën më të pashpresë mundohet të kapet pas këtyre formave si i mbyturi pas fijes së barit”, – tha z.Rama. /a.b/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





