

Shkup, 15 maj 2013, NOA.al- Opozita maqedonase ka paralajmëruar sot mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nga ana e VMRO-DPMNE-së së kryeministrit Nikolla Gruevski.
Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM), Andrej Petrov theksoi se ekziston mundësia e këtyre zgjedhjeve dhe se kjo frymë po imponohet nga ana e partisë më të madhe maqedonase në pushtet.
“Konstelacioni i raporteve midis partive të koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI si dhe antagonizmat antiamerikane në mediat proqeveritare si dhe pozicioni karshi BE-së, na rikujton vitin 2008 dhe 2011 dhe kjo na jep të drejtën për të besuar se pushteti po përgadit terren për zgjedhje të parakohshme parlamentare”, theksoi Petrov, raporton gazetari i Noa.al në Shkup.
Ai nuk ka saktësuar se kur mund të organizohen zgjedhjet, por nga ana tjetër, ka përjashtuar çdo lloj optimizmi të bashkësisë ndërkombëtare se do të ndodhë arritja e kompromisit për emrin.
Sekretari i përgjithshëm i partisë opozitare maqedonase nuk ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni me Bashkimin Demokratik për Integrim në komunën e Tetovës, ku akoma nuk ka marrëveshje mes BDI që ka fituar shumicën dhe VMRO-DPMNE, e cila po kalkulohet për koalicion komunal.n.p/a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





