



"Jeta e parë e Angela M." sapo është botuar dhe pritet të bëjë bujë. Por vëzhguesit dyshojnë për vlerën e zbulimeve të reklamuara nga libri dedikuar kancelares gjermane. Megjithatë ai pa dyshim do të tërheqë vëmendjen në këtë vit zgjedhor.
Zbulime befasuese, apo gjëra të njohura? Mes këtyre ekstremeve luhaten përshtypjet mbi librin e ri për Angela Merkelin. Dy autorët Georg Reuth dhe Günther Lachmann në biografinë "Jeta e parë e Angela M." hedhin një vështrim në një periudhë të ndjeshme të karrierës së politikanes së lartë. Bëhet fjalë për kohën e saj në RDGJ, ku ajo duhet të ketë bërë "agjitacion dhe propagandë" për FDJ, organizatën e rinisë komuniste. Asgjë e jashtëzakonshme për një biografi nga DDR, por që mbi kancelaren e Republikës Federale të Gjermanisë hedh një hije irrituese.
Libri 336 faqesh, që botohet katër muaj para zgjedhjeve parlamentare, synon të mbushë boshllëqet informative, që kanë lënë të hapura biografitë e mëparshme të Angela Merkelit, thotë autori Lachmann në një intervistë për Deutsche Welle. Dhe këtu bën pjesë edhe pyetja, nëse Merkel ka qenë sekretare e FDJ për propagandën apo jo.
Qeveria gjermane megjithatë nuk sheh në të ndonjë zbulesë spektakolare. Merkel që në vitin 2005, në një libër intervistë me titullin "Rruga ime" është shprehur në mënyrë të detajuar dhe shumë personale lidhur me këtë çështje. "Jua rekomandoj ta lexoni", tha zëvendësi i zëdhënësit të qeverisë Georg Streiter.
Autori Lachman ka tjetër mendim. Në "Rruga ime" Merkel pohon vetëm se nuk mban mend, nëse ka bërë agjitacion dhe propagandë. Por ai thotë se ka prova. "Ka dy dëshmitarë," thotë Lachman. Fjala është për miq të mirë, me të cilët Merkel atëherë bashkëpunonte ngushtë dhe me të cilët ka kaluar shumë kohë së bashku. Të dy kanë qenë sekretarë të FDJ-së në Akademinë e Shkencave. Edhe një tjetër pozitë e kancelares së sotme paraqitet në librin e ri: Ajo ka bërë pjesë edhe në kryesinë e sindikatës (BGL), duke qenë e ngarkuara për punën me rininë.o.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





