

Tiranë, NOA.al – Në përurimin e Portalit për aplikimin e patentave on-line në Kashar kryeministri Sali Berisha tha se, edhe në fushën e teknologjisë dixhitale Shqipëria duhet të jetë vend lider dhe këtë do ta arrijmë në 4 vitet e ardhshme.
Duke vlerësuar shërbimin u dytë për qytetarët “e-Patenta” në portalin unik qeveritar www.e-Albania.al, Berisha tha se “400 mijë shqiptarë përfitojnë nga ky projekt, i cili u kursen atyre kohë dhe shpenzime të pamerituara dhe shërbehen brenda pak minutash, në mënyrën më moderne, më të qytetëruar, më transparente.”
“Ky është një hap në drejtimin e duhur, asgjë më shumë në administrata shteti nuk kërkojnë qytetarët sesa shërbime të mira, sepse ne jemi shërbëtorë të qytetarëve”, vijoi fjalën e tij kryeministri, citon Noa.al.
Sipas Berishës, “ky është një proces jetik dhe vendimtarë për reformën e thellë në administratë. Kjo kërkon nga punonjësit e administratës vetëdije për rëndësinë që ka puna e tyre.”
Më pas shefi i ekzekutivit premtoi se në krye të 4 viteve që vijnë, “administrata duhet të jetë ideale, pa letër, e cila do të funksionojë më teknologji dixhitale.”
Të gjitha agjencitë e vendit tha Berisha, “të lëvizin dhe të kalojnë online veprimtarinë e tyre, doganat do të fillojnë më pagesat elektronike dhe kështu me radhë qeveritë qendrore dhe vendore, në mënyrë që qytetarët të shpenzojnë sa më pak kohë dhe para për të marrë shërbimet e tyre.”
Ambicia e Shqipërisë është e madhe, sipas kryeministrit të vendit “në 4 vitet që vijnë ne duhet të jemi vend lider në rajon në fushën e teknologjisë dixhitale” dhe kjo tha ai bazohet në përparimin që ka bërë vendi. “Jemi vendi që shënuam rritjen më të shpejtë në këtë fushë”, nënvizoi kryeministri duke kujtuar nivelin e përdorimin të internetit në vitin 2006. “Ne kapërcyem prapambetjet dhe sot jemi të mirëvendosur. Por nuk duhet të kënaqemi me kaq”, përfundoi Sali Berisha fjalën në inaugurimin e Portalit për aplikimin e patentave on-line.o.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





