

Prishtinë 14 maj 2013, NOA.al- Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi do të jetë sërish përballë Kryeministrit të Serbisë Ivica Daçiç në Bruksel, më 21 maj.
Takimi do të jetë i ndërmjetësuar nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian Catherine Ashton e cila e ka bërë këtë publike përmes një deklarate të lëshuar për media.
“Unë kam ftuar kryeministrin Daçiç dhe kryeministrin Thaçi për një takim javën e ardhshme, më 21 maj në Bruksel për të diskutuar hapat e përbashkët që ata duhet t’i ndërmarrin për zbatimin e marrëveshjes së Prillit. Një zbatim i shpejtë është kruçial dhe i rëndësishëm dhe unë mezi pres që të diskutoj këtë me dy kryeministrat”, thuhet në komunikatën e baroneshës Ashton.
Ky takim vjen pasi delegacionet qeveritare që janë takuar për zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit nuk kanë arritur në përafrim për këtë zbatim. Delegacioni i Kosovës kryesohej nga Hajredin Kuçi dhe sipas tij, nuk është arritur marrëveshje për zbatim pasi Serbia nuk ka qenë e gatshme që të pranojë.t.k/a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





