

Tiranë, 14 maj 2013, NOA.al- Presidenti Bujar Nishani priti sot në një takim Ministrin e Mbrojtjes së Maqedonisë, Talat Xhaferi.
Gjatë takimit Presidenti i vlerësoi marrëdhëniet me Maqedoninë si të një rëndësie të veçantë dhe u shpreh se ato po zhvillohen në mënyrë të suksesshme në kuadër të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe forcimit të bashkëpunimit rajonal të stimuluara gjithashtu edhe nga proceset e integrimit euro-atlantik të dy vendeve tona. Në këtë kuadër theksoi se, Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO si plotësisht të merituar duke shpresuar se çështja e emrit me Greqinë do të zgjidhet sa më shpejt.
Kreu i Shtetit përgëzoi faktorin shqiptar në Maqedoni për mbështetjen institucionale ndaj procesit të demokratizimit të vendit dhe reformave të duhura për integrimin europian dhe çmoi faktin që shqiptarët e Maqedonisë e shohin të ardhmen e tyre të lidhur ngushtë me të ardhmen e këtij vendi.
Nga ana e tij, Ministri Xhaferi vuri në dukje se Republika e Maqedonisë po bën hapa të shpejtë në drejtim të realizimit të reformave për zhvillimin e demokracisë dhe konsolidimin e shtetit ligjor dhe se shpreson që për çështjen e emrit të gjendet sa më shpejt një zgjidhje, që do të kënaqë të dyja palët e interesuara.
Të dy bashkëbiseduesit ndanë mendimin se zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit, e cila është një frymë e filozofi për zhvillimin dhe stabilitetin e Maqedonisë, përbën gurin e themelit për një Maqedoni të fortë dhe demokratike, anëtare në perspektivë e NATO-s dhe e Bashkimit Europian.a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





