Transmetuar më 14-05-2013, 11:06

Tiranë, NOA.al – Kryeministri Sali Berisha në inaugurimin e terminalit të ri të doganës Vorë-Rinas tha se, Qeveria ka adresuar politika miqësore ndaj biznesit. Do të bëjmë gjithçka që t’u japim shërbime sa më të mira biznesmenëve”, tha Berisha duke vlerësuar partneritetin me sektorin privat.

Siç raporton Noa.al kryeministri tha se, pothuaj çdo hap që është bërë drejt lirisë së biznesit ka sjellë rritje ekonomike dhe jo rënie, siç pretendohet.

“Ne besojmë në filozofinë tonë. Liria e tregut, iniciativa e lirë e individit është themeli i mirëqenies. Ne kemi ndërmarrë reforma të thella fiskale, ka qenë një guxim i madh nga ana e punonjësve të sistemit doganor. Po një fakt është i pamohueshëm që pothuajse është se çdo hap që kemi bërë drejt lirisë suaj në pamje të parë do të sillte ulje por ka sjellë rritje sepse liria juaj ekonomike ka krijuar të ardhura më të mëdha” nënvizoi Berisha.

Më pas kryeministri kërkoi nga administrata doganore më shumë transparencë dhe shërbime më të mira për biznesin. “Ju ftoj  ju që së bashku të bëjmë gjithçka që t’u shërbyer edhe më mirë biznesit, që të jemi më transparentë ndaj tyre pasi ky është një partneritet i mrekullueshëm dhe i tillë duhet të jetë në të gjithë veprimtarinë tonë”, theksoi Berisha.

Ndërsa të tjera në fjalën e tij në këtë ceremoni inaugurimi, Kryeministri analizoi edhe programin e opozitës, për ekonominë.

Alternativa tjetër, tha Berisha “është alternativa e kaosit.” “Një ditë thotë do të vendos taksën progresive dhe kur reaguam thotë se do ta vëmë atë për të ardhurat personale. Njësoj është. Taksa progresive është armiqësi për biznesin. Një ditë tjetër thotë do ta heq taksën për biznesin e vogël, por harron që Shqipëria ka taksën më të vogël në Evropë. Ideja për të ngushtuar bazën e pagesave të taksave është kriminale për një ekonomi. Është ide për të shembur ekonominë”, vijoi ai.

Sipas Berishës, në çdo vend që i beson ekonomisë sociale zgjerohet baza e taksës. Nëse i shikon biznesmenët si kundërshtar ti rrënon vendin sepse nuk është ky vend i sektorit publik të prodhimit, por i sektorit privat të prodhimit.”

Terminali i ri doganor i Tiranës do të jetë një terminal bashkëkohor, i parametrave evropiane, sa i takon procedurave të përpunimit të mjeteve, kapaciteteve, mbajtëse, përpunuese dhe magazinuese, dhe do të zgjidhë radhët e gjata në zhdoganimet e mallrave të ndryshëm.

Terminali i ri ofron një vend kontrolli fizik që të përballojë 15 trajlera në një kohë, duke mënjanuar pritjen. Ky terminal ka një sipërfaqe totale prej 75 mijë m2, me mbi 10 mijë m2 sipërfaqe magazinash doganore dhe një sipërfaqe totale në dispozicion të administratës doganore prej 2200 m2.

Me ndërtimin e terminalit të ri doganor, dogana e Tiranës transformohet nga disa zyra që nuk përmbushin kushtet më minimale në një godinë, e cila do të ketë të gjithë parametrat e kërkuar ndërkombëtarë. o.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit