

Zhvillohet takimi me temë “Sensibilizim, Ndërgjegjësim, Rehabilitim për Integrimin e Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara”, nga Qendra “Shpresë për Fëmijët me Aftësi të Kufizuar” në bashkëpunim me Fondacionin Vodafone Albania
Fier, NOA.al – Qendra “Shpresë për Fëmijët me Aftësi të Kufizuar” në kuadër të sensibilizimit të shoqërisë dhe pushtetit vendor për integrimin e fëmijëve me probleme zhvillimi dhe aftësi të kufizuara në bashkëpunim me Fondacionin Vodafone Albania, organizuan ditën e hënë në qytetin e Fierit takimin me tematikë: “Sensibilizim, Ndërgjegjësim, Rehabilitim për Integrimin e Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara”.
Të pranishëm në aktivitet ishin drejtues të qendrës “Shpresë për Fëmijët me Aftësi të Kufizuar”, Drejtori i Fondacionit Vodafone Albania Albi Greva, përfaqësues të lartë të bashkisë Fier, etj.
Aktualisht në Qendrën “Shpresë për Fëmijët me Aftësi të Kufizuar” zbatohet një nga projektet fituese të programit “Bota e Ndryshimit” e Fondacionit Vodafone Albania, “Fëmijët janë e ardhmja, le ti bëjmë ata të ndihen të barabartë”, projekt i ideuar nga Elona Hysenaj. Përfituesit e këtij projekti janë 32 fëmijë, që frekuentojnë qendrën SHFAK, si dhe raste të tjera të identifikuara në komunitet.
Qendra “Shpresë për Fëmijët me Aftësi të Kufizuar” operon me statusin e një Organizate Jo-fitimprurëse dhe ofron shërbime psiko-sociale, ndërhyrje terapeutike, ulje të diskriminimit, sensibilizim të komunitetit dhe integrim të fëmijëve me Aftësi të Kufizuar.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





