Transmetuar më 13-05-2013, 19:34

Gjirokastër, 13 maj 2013, NOA.al- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, u ndal në qytetin e Gjirokastrës për të prezantuar kandidatët për deputetë, me të parin që kryeson listën Vangjel Tavo.

Gjatë fjalës së mbajtur para gjirokastriteve, Meta tha se ekipi i LSI është tejet konkurrues, ndërsa theksoi se shoqëria shqiptare është e lodhur tashmë nga fryma konfliktuale e politikës së vjetër.

“Procesi i integrimit ka ngelur në vend numëro që pas liberalizimit të vizave, nuk mund të ecet kështu. Më të gjatë janë shiritat që priten se rrugët që asfaltohen. Kryeministrit aktual i cili po përgatitet të bëjë dorëzimet më 23 qershor, i cili ka bërë mijëra e miliona kilometra rrugë anë e mbanë globit, e ftojë të vijë jo me helikopterë por me makinë nga Memaliaj në Tepelenë dhe tu kërkojë falje këtyre trevave, sepse Gjirokastra, Memaliaj, Përmeti e Tepelena nuk mund te ecin me ritmin e tij, por do ecin me ritmin e LSI. Në 23 qershor do votojnë për rrotacionin e pushtetit. Ti japim fund garës që i ka shpallur Berisha Gjermanisë, të cilën e ka lënë me kokë mbrapa”, deklaroi Meta citon Noa.al.

Në këtë kuadër ai tha se për LSI prioriteti kryesor është punësimi dhe në këtë drejtim do punohet intensivisht.

Meta shprehu bindjen për fitoren e Aleancës për Shqipërinë Europiane, me një rezultat 4 me 1 në Gjirokastër. Kreu i LSI ftoi qytetarët që me votën e tyre ti japin shtysë integrimit, duke nisur një kapitull të ri më 24 qershor. a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit