

Berat, 13 maj 2013, NOA.al- Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama u ndal në qytetin e Beratit për të prezantuar kandidatët për deputetë.
Në fjalën e tij ai shprehu mirënjohje për deputetin e këtij qarku Erion Braçe, i cili për zgjedhjet e 23 qershorit kandidon në Fier.
Një tjetër falënderim ai shprehu për deputetin e këtij qarku Marko Bello, i cili nuk është pjesë e listave të kandidatëve për deputetë.
Rama shprehu bindjen se në këtë qark Partia Socialiste do të marrë 6 deputetë, si alternativa më e mirë e qeverisjes.
“Më 23 qershor do të realizojmë triumf. Çfarë u shkon ndërmend beratasve kur vijnë nga rruga e hyrjes për në qytet. Kush e katandisi këtë rrugë si skutë e jo si rrugën e njërës prej pjesëve më të çmuara të thesarit historik. Si ka mundësi të votohet për këtë parti, të katandisur në pushtetin e një familje dhe një klani përfituesish të pashpirt, qorrash dhe shurdha. U them të gjithë beratasve se vota e 23 qershorit nuk vendos se kush do të qeverisë në katër vitet e ardhshme, por vendos fatin e një gjenerate të tërë. Kush voton me verbëri le të shkojë të votojë Saliun, por kush i thotë vetes njeri, qytetar, e shqiptarë të votojë Partinë Socialiste, Aleancën për Shqipërinë Europiane, të votojë që të ndalet rrënimi dhe të rilindë vendi”, tha gjatë fjalës së tij kryesocialisti.
Referuar elektoratit demokrat, ai i ftoi që të mos i japin votës PD, në mënyrë që ti jepet mundësia të rilindë. Ndër të tjera ai i cilësoi zgjedhjet e 23 qershorit si të një rëndësie njëlloj si ato të vitit 1992.
Kandidatët e PS për qarkun Berat:
1. Fidel Ylli
2. Ermonela Felaj
3. Eduard Shalsi
4. Eduart Bejko
5. Artan Lame
6. Stavri Ceca
7. Erjon Kërri
8. Anila Agalliu
9. Alma Kule.a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





