Transmetuar më 13-05-2013, 12:03

Elbasan, NOA.al – Eshtë e afërt dita kur Shqipëria me rezervat e saj ujore do të shndërrohet në rajon një vend udhëheqës në prodhimin e energjisë ujore, tha kryeministri Sali Berisha në ceremoninë e inaugurimit të fillimit të punimeve në hidrocentralin e Banjës, në Elbasan.

Sipas kryeministrit, ky është një moment historik për Shqipërinë. “Ne inaugurojmë sot fillimin e punimeve përgatitore për ndërtimin e HEC-it të Banjës nga kompania më e madhe e kësa fushe në Evropë dhe botë, kompania më e suksesshme në fushën e hidro-energjisë gjiganti norvegjez Statkraft, kompani publike e mirënjohur në mbarë botën për standardet e saj të shkëlqyera, efiçente, e mirënjohur në mbarë botën për standardet e saj sociale, tha Berisha, citon Noa.al.

Në vijim të fjalës së tij, kryeministri shtoi se, “kompania Statkraft  zbarkon në Gramsh e vendosur për të bërë historinë në këtë vend në ndërtimin e Kaskadës së Devollit, investim madhor në historinë e Shqipërisë, investimin më të madh në historinë e hidro-energjitikës.”

Berisha premtoi se ai dhe qeveria e tij, edhe pas 23 qershorit do të vijojnë të krijojnë një klimë të favorshme për investimet e huaja dhe biznesin. Në këtë moment kryeministri nuk la pa komentuar edhe programin e opozitës. “Zërat për rritje taksash dhe që  duan të cenojnë klimën e biznesit, do mbeten zëra të thatë në shkretëtirë, “ tha ai.

Vlera e kaskadës së Devollit është rreth 1 miliard euro. Ajo përbën 20 % më shumë energji nga prodhimi ekzistues dhe mbulon nevojat me energji për 150 mijë familje. Sipas kryeministrit, ky është investimi më i madh i një partneriteti publik privat në fushën e energjisë dhe ka një kapacitet 280 megawat. Ky investim sjell jo vetëm shtimin e energjisë së prodhuar në vend, por edhe përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese të komuniteteve përreth dhe mundësitë për zhvillim ekonomik dhe punësim të këtyre komuniteteve.Ndërtimi do të bëhet nga kompania publike norvegjeze Statkraft, që është numri një në Evropë dhe në botë për ndërtimin e hidrocentraleve. Direkt dhe indirekt në ndërtimin e kësaj vepre do të punësohen 5 – 6 mijë punëtorë, inxhinierë, teknikë dhe punonjës të fushave të tjera.o.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit