

Tiranë, NOA.al – Misioni EURALIUS përfundon aktivitetin e tij në Shqipëri. Në ceremoninë zyrtare Ambasadori i Bashkimit Evropian në vendin tonë, Ettore Sequi vuri në dukje rëndësinë e konsolidimit të shtetit të së drejtës, në mënyrë që Shqipëria të përparojë në drejtim të integrimit evropian.
Sipas tij, ka ardhur koha që Shqipëria të ketë arritje të qëndrueshme në drejtësi, me qëllim që t’i bashkohet BE-së. “Drejtësia i jep kuptim demokracisë. Në këtë mënyrë shteti i së drejtës i shtron rrugën Shqipërisë drejt BE-së. Askush të mos jetë sipër ligjit. BE e ka parasysh vështirësinë e këtij biznesi. BE e ka provuar tashmë që ka dhënë një asistencë serioze ndaj jush. Pritshmëria jonë ndaj Shqipërisë për të garantuar eficencën e sistemit të drejtësisë është realiste”deklaroi diplomati evropian, citon Noa.al.
Edhe presidenti i republikës, Bujar Nishani i bëri apel të gjithë aktorëve të bashkëpunojnë për vijimin e reformave në sistemin e drejtësisë. “Së bashku duhet të punojmë për vijimësinë e këtyre projekteve të BE-së në Shqipëri. Shqipëria është dhe mbetet një pjesë natyrale e Evropës ashtu si edhe tërë Ballkanti Perëndimor. Askush nuk mund ta lërë atë jashtë familjes evropiane, por ne shqiptarët kemi përgjegjësinë për ta bërë atë pjesë funksionale të BE-së. Ftoj të gjithë aktorët e interesuar por edhe si pjesë natyrale e së drejtës në Shqipëri, i jetës publike në Shqipëri për të ndërtuar vizionin e tyre dhe për të adresuar në realitetin e sotëm që ne jetojmë me objektiv qasjen ndaj së tashmes dhe të ardhmes” tha Nishani.
“Shqipëria nuk ka zgjidhje për të bërë, por duhet të ecë në drejtim të BE-së. Dekurajoj çdo lloj tentative për të futur në ngërç procesin e integrimit”, tha Nishani duke iu referuar votimit të 3 ligjeve të integrimit.
“Shqipëria duhet të ecë në rrugën e integrimit evropian. Ky është një proces që ka etapat e tij, stacionet e tij, angazhimin për përmbushjen e detyrimeve dhe arritjen e standardeve nga institucionet shqiptare. Eshtë një proces që ka nevojë për inkurajimin nga ana e partnerëve ndërkombëtarë. Nuk ka askush shansin për të ndryshuar destinacionin e Shqipërisë. Dekurajojmë çdo tentativë, çdo tendencë për të futur në ngërç këtë proces, qofshin këto të ardhura nga individë, nga institucione të caktuara. Të gjithë ne duhet të kontribuojmë”, vijoi Nishani fjalën e tij në këtë aktivitet.
Për ministri e drejtësisë, Eduard Halimi, “EURALIS 3 ishte një mision i ndihmës së vlefshme, që asistoi një sërë institucionesh. Ajo çfarë mbetet pas janë gjurmët e punës së realizuar. Flasin vetë reformat, publiku e aktorët e sistemit të drejtësisë. Shpreh mirënjohjen e Ministrisë së Drejtësisë dhe qeverisë për këta anëtarë të shkëlqyer të një misioni të shkëlqyer në ndihmë të konsolidimit të shtetit të së drejtës.” o.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





