Transmetuar më 12-05-2013, 12:22

Tiranë, 12 maj 2013, NOA – Në Ditën e Nënës, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka vlerësuar rolin e nënave në zhvillimin e shoqërisë shqiptare. Në aktivitetin e PS-së, ku ka marrë pjesë dhe nëna e kreut të PS-së, Aneta Rama, kryesocialisti i ka bërë asaj një falënderim publik, duke e vlerësuar si njeriun që ka ndikuar më shumë në jetën e tij. Rama tha se pa kontributin e nënës, ai nuk do të kishte arritur aty ku është sot.

“Është privilegj që unë kam mundësinë të them fjalën time për nënën time dhe të ndjehem shumë me fat që ajo është pranë meje, sot, kur ne të gjithë këtu kremtojmë rolin që nënat luajnë, jo vetëm në jetën tonë dhe shoqërinë tonë. Mam, unë dua të them që pa ju, pa ty, unë jam asgjë. Kur thash Ty, mu kujtua gjysma jote më e mirë që sot nuk është mes nesh”, tha kreu i PS-së, Edi Rama.

Kryesocialisti shtoi se jeta e tij nuk do të ishte kjo që është nëse nëna nuk do e kishte mbështetur. “Ti më bëre, më ushqeve, më rrite duke më veshur, duke më çuar në shkollë, duke u kujdesur për mua, duke e vënë veten tënde gjithmonë në dispozicionin tim dhe veten time para vetes tënde, duke më dhënë dorën sa herë jam rrëzuar, duke më shkulur veshin kur e kam pasur keq, duke më lëvduar kur e kam pasur mirë, duke më dhënë dashurinë tënde vlerat e tua, duke më bërë njeriun që jam. Pa ty nuk do të isha dot ky që jam dhe as këtu ku jam”, u shpreh kreu i PS-së.

Rama ka folur dhe projektin e tij si kandidat për kryeministër, duke marrë si simbol nënën e tij. “Nga thellësia e zemrës time do të doja sot të thosha, se nëse e përfytyroj vetëm time një ditë në shërbim të njerëzve të këtij vendi, shërbimi im të kishte vlerat me të cilat më ke. Unë do të doja shumë që sot tu thosha të njëjtën gjë të gjithë nënave që janë këtu të mbledhura bashkë, duke i falënderuar nga zemra se pa to nuk do të kisha fatin të kisha rreth e rrotull këta njerëz”, u shpreh kreu i PS-së, Edi Rama. Deklarata e Ramës u bë gjatë aktivitetit të PS, që u zhvillua në një lokal luksoz në Tiranë, me rastin e Ditës së Nënës. Të pranishëm ishin drejtuesit kryesor të PS, të cilët kishin ftuar dhe nënat dhe të afërmit e tyre në këtë aktivitet.

a.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit