

Tiranë, 12 maj 2013, NOA – Në aktivitetin e Partisë Socialiste të zhvilluar sot për Ditën e Nënës nuk kanë munguar humori dhe batuta e ish-kryeministrit Pandeli Majko. I ftuar të mbante fjalën e rastit nga deputetja Eglantina Gjermeni, deputeti Majko tha se kishte të vështirë të bindet nënën e tij të vinte në një aktivitet të tillë. Ndërsa për të atin e tij, Majko tha se “duke më parë tani nga televizori do jetë duke u tallur me mua”.
Por teksa fliste në aktivitetin e zhvilluar në një lokal luksoz në Tiranë, Majko i ka tërhequr vëmendjen kreut të PS-së, Edi Rama. “Të lutem Edi mos pi kafe kur unë flas. Ti na nxin jetë në mbledhje; mos flisni në celular, etj. Tani po flas unë”, tha Majko me humor.
Në Ditën e Nënës, Majko u shpreh se është e nevojshme që PS-ja të bëjë më shumë për nënat shqiptare. Duke vazhduar humorin, Majko ka shpjeguar edhe arsyet se përse është bërë me të majtën në politikë. “Është e rëndësishme ta nisim ditën dhe fushatën me ditën e nënave. Kjo ka të bëjë me fillimin e gjithçka. Kur diskutoj me nënën time me thotë se ‘ke lindur në maternitet më 15 nëntor dhe pasi linde ti, mamia iku në mbledhje partie’. Mbase që atëherë mu taks kjo puna e partisë. Ajo që më ndihmoi të dilja në jetë ishte e majtë”, u shpreh deputeti Pandeli Majko.
a.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





