


Jorida Tabaku
Tiranë, 11 maj 2013, NOA.al- Partia Demokratike nëpërmjet kandidates për deputete në qarkun e Tiranës Jorida Tabaku, deklaroi se gjatë ditës së djeshme qytetarët shqiptarë filluan të lexojnë fletët e para të librit “R-K”, ku shkruhet qartë modeli Rama- Kokëdhima.
Në fjalën e saj ajo tha se taksapaguesit e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë u shokuan kur panë nëpërmjet dokumenteve zyrtarë se si shumica dërrmuese e tenderave të Bashkisë së Edi Ramës, për 11 vjet me radhë kishin përfunduar në thesin e Koço Kokëdhimës.
“Ky modeli futi në thesin e Kocos jo pak, por mbi 19 milionë dollarë. Shqiptarët mësuan se filozofia e modelit Rama- Kokdhima është vjedhja e taksave: Rama i kishte falur Koços, si t’i kishte paratë e tij, 1.25 milionë dollarë nga detyrimet qe i kishte bashkisë dhe qytetarëve të Tiranës. Por kjo është vetëm pjesa e parë. Sot do t’ju tregojmë një anë tjetër të këtij modeli. Një leje ndërtimi, e dhënë nga Rama, unike në llojin e vet, ku ndërtuesi Kokëdhima ka futur të gjithë unazën prej 25 metrash të gjerë, si sipërfaqe e sheshit të ndërtimit! Por pse duhej përfshirë unaza e madhe e qytetit në shesh ndërtimi të pallatit të Kristaq Kokdhimës. Sepse vetëm në këtë mënyre duke shpallur edhe të gjithë gjerësinë e unazës në shesh ndërtimi Koço mund të dyfishonte sipërfaqen e ndërtimit e cila në përputhje me normat e urbanistikës pa sipërfaqen e unazës duhet të ishte dy herë më e vogël”, deklaroi Tabaku, citon Noa.al.
Po ashtu ajo tha se ndërtimi i Kokëdhimës del edhe përtej kësaj sipërfaqe dhe shtrihet në pronat e fqinjit, duke demonstruar atë që e quajti leje të kundraligjshme.
Leja e denoncuar nga Jorida Tabaku
Sipas saj shqiptarët e kanë ditur, por sot e kanë edhe të dokumentuar, se modeli Rama- Kokëdhima është modeli i përfitimit të shumicës absolute të tenderave për vete, i zaptimit të hapësirave publike dhe pronës private, i vjedhjes së taksave të parashikuara për shtrimin e rrugëve dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Tabaku theksoi se Tirana i tha jo këtij modeli, por se tani do t’i thotë jo e gjithë Shqipëria, sepse shqiptarët e panë se simboli i Partisë Socialiste, trëndafili, është zëvendësuar nga thesi i Koços.a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





