Transmetuar më 11-05-2013, 12:57

Vlorë, 11 maj 2013, NOA – Policia e Vlorës ka sekuestruar 900 kilogramë hashash gjatë dy operacioneve të zhvilluara ditën e sotme. Rreth 300 kg hashash janë sekuestruar gjatë operacionit të koduar “Kalaja”. Në pranga ka rënë Festim Sadenin Sadedinaj, 50 vjeç, lindur  dhe banues në fshatin Sherisht të Vlorës.

Arrestimi i tij është bërë pas hetimeve 3 mujore, ndërsa droga është gjetur në banesën e tij, e cila shërbente dhe si bazë përpunimi dhe paketimi. Sipas policisë, Sadedeninaj grumbullonte lëndë narkotike, e paketonte dhe më pas e transportonte për llogari të grupeve të ndryshme kriminale. Atij ju sekuestruan edhe 2 automjete tip fugon dhe kamionçinë të cilat përdoreshin për transportin e lëndës narkotike dhe peshore elektronike.

Po dje policia e Vlorës ka arrestuar dhe Diego Luan Haxhiraj, 27 vjeç dhe Ajet Vesel Çepaj, 51 vjeç, të dy lindur dhe banues në Vlorë. Haxhiraj dhe Çepaj kanë qenë duke transportuar rreth 600 kg hashash. Droga u sekuestrua brenda një automjeti tip kamionçinë frigoriferike në një parking në qytetin e Vlorës. Sipas të dhënave të para, dyshohet që lënda narkotike ishte bërë gati për tu trafikuar në drejtim të Italisë në rrugë tokësore. Veç arrestimit të dy transportuesve, policia e Vlorës ka shpallur në kërkim edhe tre persona të tjerë.

a.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit