Transmetuar më 11-05-2013, 12:18

Diskutimi i ri, tashmë që listat përfunduan dhe koalicionet janë konturuar, duket se po transopozohet drejt debatit ‘rotacion apo jo më 23 qershor?’. Në fakt për mënyrën se si rrodhën ngjarjet me një befasi impresionuese në muajin e fundit, çështja ‘rotacion apo jo’ derivon drejt një tjetër dileme për 23 qershorin.

Nga Henri Çili

Një alternativë e djathtë qeverisëse me Sali Berishën në krye, apo një alternativë e majtë qeverisëse për Shqipërinë e 2013-ës me dyshen Rama-Meta në krye?

Kjo është çështja. Situata dhe konjuktura politike janë të tilla që me kalimin e LSI-së nga koalicioni qeveritar drejt opozitës nuk bëhet fjalë për atë rotacionin klasik, apo për garën qeveri-opozitë të natyrshme pas çdo zgjedhjeje, për shkak se një pjesë e pushtetit tashmë është vënë kundër pushtetit. Ndaj ia vlen t’i rivlerësojmë skuadrat konkurruese në këtë ristart të jetës politike në prag të zgjedhjeve.

Cilat janë avantazhet dhe disavantazhet e tyre, kjo është zgjedhja e 23 qershorit. Për të zgjedhur një ekip ndaj një tjetri, mund të renditen së paku tri arsye. Arsyeja e parë: a janë sfiduesit, Rama-Meta, administratorë më të mirë të qeverisjes së vendit se Berisha? Së dyti: A janë më korrektë me ligjin, pra më pak të prekur nga fenomeni i korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin, dhe arsyeja e tretë: a janë më tolerantë, më demokratë dhe propozues të një hapësire më të madhe demokratike?

Po t’i shohim këto tri arsye, nuk rezulton ndonjë avantazh i dukshëm nga ky krahasim mes Berishës dhe dyshes Rama-Meta që propozon alternancën. Nuk mund të thuhet se janë administratorë më të mirë të çështjeve të qeverisjes; nuk mund të thuhet se janë më pak të prekur, të paktën brenda ligjërimit verbal mbi abuzimin me ligjin dhe korrupsionin në krahasim me kryeministrin aktual, dhe patjetër që nuk duken më demokratë apo propozues lirie në krahasim me Berishën. Mjaft të kujtojmë biografinë brenda partive që drejtojnë apo konceptimin që kanë për shtetin, për ndryshimet kushtetuese në rastin e Ramës, e të tjera.

Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, çështjen nëse qeverisjen e vendit duhet ta marrë në dorë e majta apo e djathta pas 23 qershorit, e kushtëzon konteksti i krizës ekonomike dhe përgjigjeve që ka e majta ose e djathta, respektivisht ndaj saj. Shkurt, një propozim i majtë për të menaxhuar krizën është ndoshta propozimi i paduhur në këtë moment në raport me një seri arsyetimesh rreth dobisë ndaj interesit publik. Ndoshta për këtë duhet propozuar pikërisht ky diskutim i ri: E majta apo e djathta më 23 qershor?

Ndaj, të mos rrezikojmë si shoqëri është ndoshta instinkti i parë i çdo shoqërie në këto kushte. Ku asgjë nuk është më e mirë se aktualja, kur erëra të fuqishme fryjnë për krizën rreth e rrotull nesh. Sidoqoftë jemi veçse në fillim të një debati “e majta apo e djathta më 23 qershor?”

"MAPO"

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit