Transmetuar më 11-05-2013, 11:48

Vlorë, 11 maj 2013, NOA – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka marrë pjesë sot në aktiviteti e organizuar nga Bashkia e Vlorës për hapjen e sezonit turistik në këtë qytet. Rama u shpreh se Vlora është një qytet i harruar nga qeveria në Tiranë.

“Kjo nuk është dita për fushatën tonë elektorale, por është dita për fushatën e Bashkisë së Vlorës për sezonin turistik. Vlora ka ndryshuar shumë, por do të kishte ndryshuar shumë më tepër nëse do të kishte pasur një qeveri që do ta shikonte Vlorën me sytë e zemrës, e cila do të kishte sy për të parë të shkuarën e lavdishme”, u shpreh kreu i PS-së.

Ai shtoi se edhe Kosova e sheh Vlorën si kryeqytetin e Shqipërisë. “Vlora nuk e ka pasur një qeveri të tillë në Tiranë. Ka pasur një qeveri që e ka lënë Vlorën të izoluar nga pjesa tjetër e Shqipërisë dhe nga Kosova, sepse edhe Kosova e sheh Vlorën si kryeqytetin e shtetit shqiptar, si kryeqytetin e pavarësisë, si kryeqytetin e atyre parimeve dhe idealeve që bën të nis rrugëtimi i Shqipërisë Euriopiane”, u shpreh Rama.

Rama u shpreh  se pas 23 qershorit, Vlora do të këtë më shumë investime dhe qeveria nuk do t’i kthejë shpinën këtij qyteti. “Jemi këtu për të ftuar të gjithë ata që na ndjekin që të vijnë në Vlorë dhe të kalojnë pushimet. Ne do të bëjmë për Vlorën atë që s’është bërë në 20 vite. Qeveria ka bërë çmos që Vlora të mbetet e izoluar, ne do ta heqim izolimin”, tha kreu i PS-së, Edi Rama.

a.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit