Transmetuar më 11-05-2013, 10:49

Shkup, 11 maj 2013, NOA.al – Ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimiç dhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti nga Nju Jorku përcollën porosinë për zgjidhjen e kontestit të emrit të Maqedonisë. Ata u takuan në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ndërsa detaje të takimit janë dhënë përmes një komunikate të shpërndarë nga selia e partisë së Ahmetit në Shkup.

“Është koha më e mirë për ta zgjidhur çështjen e emrit dhe që politikanët duhet me guxim të ndërmarrin vendime të rëndësishme për të siguruar të ardhmen e vendit”, kanë theksuar Ahmeti dhe Nimiç. Gjatë takimit, Nimiç ka shprehur falenderime për kreun e BDI-së duke e vlerësuar, siç thuhet në komunikatë, për “këshillat e vlefshme dhe përpjekjet për të ndihmuar këtë proces”.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare për mbështetje më të madhe ndaj procesit të ndërmjetësit Nimiç. Delegacioni i lartë i BDI në selinë e Kombeve të Bashkuara u takua me ambasadoren amerikane në OKB, Rosemary Di Carlo.

Në këtë takim u ndanë kujtime për bashkëpunimin e suksesshëm në vitet 2007 dhe 2008, ndërsa Ahmeti theksoi që një shtytje e tillë ndërkombëtare nevojitet edhe sot kur duhet të zgjidhet përfundimisht çështja e emrit. Ambasadorja Di Carlo nënvizoi përkrahjen amerikane për integrim të Maqedonisë në NATO, por edhe nevojën për arritje të kompromisit me fqinjin jugor mbi çështjen e emrit që po mban larg Maqedoninë nga strukturat euroatlantike.

Më pas kanë vijuar takimet me ambasadorin nga Misioni i Përhershëm Britanik në Organizatën e Kombeve të Bashkuara si dhe ambasadorin e Misionit të Përhershëm të Republikës Franceze në OKB, k u përcollën mesazhe të njëjta për eurointegrimet, zgjidhjen e kontestit të emrit dhe reformat e brendshme në Maqedoni. /n.p/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit