Transmetuar më 09-05-2013, 18:56

Kryetar de facto i Partisë Socialiste, nuk është Edi Rama por Koço Kokëdhima, një antiperëndimor dhe ekstremist i majtë, vlerëson Partia Demokratike duke akuzuar kreun socialist se i ka falur 1.3 milionë dollarë taksa të pashlyera, biznesmenit dhe botuesit Kokëdhima, kur z.Rama ishte kryetar i bashkisë Tiranë.

Deputeti Gert Bogdani, në një dalje për mediat sot, tha se “qytetarët shqiptarë më në fund e kuptuan se kush është arkitekti i filozofisë së rritjes së taksave dhe partizani fanatik i taksës progresive të Edi Ramës, ai quhet Koço Kokëdhima”.

Për PD, “deputeti më i ri i qarkut të Vlorës, biznesmeni Koço Kokëdhima, e çoi Edi Ramën drejt taksës progresive”.

“Paradoksalisht, ai është i vetmi biznesmen në botë që lumturohet nga rrija e taksave, sepse ai nuk i ka paguar ndonjëherë ato dhe aq më pak e ka ndër mend t’i paguajë nën regjimin e Ramës”, – tha z.Bogdani.

Kurse shtoi: “Kur Edi Rama ishte kryetar Bashkie, për 11 vite, kandidati i PS-së për deputet në Vlorë, Koço Kokëdhima operonte në Tiranë me 14 kompani. Gjatë kësaj periudhe, Edi Rama i ka falur Kokëdhimës rreth 1.2 milionë dollarë, saktësisht 124 milionë e 739 mijë e 223 lekë të reja. Ia ka falur duke mos ia marrë taksat. Kështu, detyrimet e falura janë rreth 850 mijë dollarë, saktësisht 88 milionë e 905 mijë e 593 lekë të reja. Gjobat e falura janë rreth 340 mijë dollarë, saktësisht 34 milionë e 319 mijë e 869 lekë të reja. Dhe kamat-vonesat e falura janë rreth 15 mijë dollarë, saktësisht 1 milionë e 513 mijë e 761 lekë të reja”.

Kjo është arsyeja përse kryetari de facto i Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima, – vlerëson PD, – kërkon rritjen e taksave për të gjithë biznesmenët e tjerë.

“Këtë herë ai a ka menduar më hollë. Nuk do të rrijë me thesin hapur në paradhomën e Ramës, si në 11 vitet e bashkisë, por do t’i detyrojë me ligj të gjithë biznesmenët e tjerë shqiptarë ta mbushin thesin e tij të hapur, me dëshirë, pa zhurmë dhe duke pritur falënderime”, – tha Bogdani.

Sipas deputetit demokrat, “kjo është politika e Edi Ramës për taksat”: “Ai kërkon të rrisë taksat, por të mos ia mbledhë kurrë Koço Kokëdhimës. Edi Rama predikon taksë të ndershme, ndërkohë që i fal ortakut të tij rreth 1.2 milionë dollarë taksa”.

Në këtë pikë PD sjell në vëmendje:

“Modelin Rama – Kokëdhima e kanë provuar të gjithë qytetarët e Tiranës me rrugët që asfalti i Koços u binte brenda 8 muajsh. E kanë provuar të gjithë nxënësit e shkollave të Tiranës, të cilëve u binin mbi kokë tavanet e klasave të rindërtuara me tenderët e Koços.

E kanë parë të gjithë qytetarët e Tiranës me reklamat e qytetit, të cilat Koço i kishte në  pronësi të tij dhe nuk i paguante bashkisë as edhe një taksë të vetme”.

Bogdani njoftoi se çështja se si një kryetar bashkie i fal 1.2 milionë dollarë partnerit të tij sikur t’i kishte paratë e veta po shqyrtohet nga prokuroria. “Por si duket, qoftë Edi e qoftë Koço duan petkun e deputetit dhe politikanit që çështjen e vjedhjes se 1.25 milionë dollarëve ta shesin si luftë që i bëhet opozitës”.

Duke e lënë drejtësinë të bëjë punën e saj, Partia Demokratike dhe koalicioni i djathtë theksojnë se janë dyfish te motivuar për t’i fituar këto zgjedhje, për të mos e lënë modelin Rama-Kokëdhima të zaptojnë të gjithë Shqipërinë.

Partia Demokratike, thotë më tej se ashtu si shumica e bizneseve shqiptare, si shumica e gazetarëve, si shumica e qytetarëve, që e kanë vuajtur në kurriz modelin Rama – Kokëdhima për 11 vjet në Bashkinë e Tiranës, është e shqetësuar për këtë model dhe çdo model tjetër që e ka inspirimin nga stepat ruse, që pas Bashkisë së Tiranës po kërkon terren për t’u shtrirë në të gjithë Shqipërinë.

“Ky model është modeli më i gabuar për të zbrazur thesin e Shqipërisë dhe për të mbushur thesin e Koços. Sepse për të gjithë është e qartë se Edi Rama është një manekin që fillon të lëvizë vetëm me mendjen mafioze dhe zemrën ruse të biznesmenit Koço Kokëdhima. Ndaj nuk është rastësi që Rama vetëm shkul veshë dhe tregon barsaleta, sepse për rritjen e taksave dhe për të mbushur thesin, mendon Koço”, – përfundon deklarata e z.Bogdani. /a.b/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit