

Tiranë, NOA.al – Në kuadrin e Javës së Drejtësisë, si pjesë të aktiviteteve “100 vjet Drejtësi”, Ministri i Drejtësisë ftoi sot në një takim ish ministra të drejtësisë së Shqipërisë ndër vite.
Rrugëtimi i drejtësisë në vendin tonë ka qenë i vështirë, tha ministri Eduard Halimi sipas të cilit "sot duhet të kujtojmë dhe të vlerësojmë se gjithsecili prej nesh ka vendosur një gur për ndërtimin dhe konsolidimin e sistemit të drejtësisë, i cili ka bërë hapa të mëdhenj në një kohë të shkurtër, drejt arritjeve të standardeve të merituara”; raporton noa.al.
“Të realizosh reforma, është një rrugë e vështirë, e lodhshme, kërkon punë, angazhime, staf të shkëlqyer, sakrifica. Por kënaqësia e marrë nga procesi transformues dhe gjurma e lënë ngelet gjithmonë pjesa më me vlerë. Sakrificat dhe mundimet kthehen në çështje krenarie”, tha mes të tjerash Halimi.
Sipas ministrit aktual, të gjithë Ministrat e Drejtësisë, në qeveritë e ndryshme që pasuan, i kanë përballur me vullnet dhe kurajë sfidat dhe pengesat me synimin e vetëm: përmirësimin e vazhdueshëm të sistemit të drejtësisë me qëllim mbrojtjen gjithmonë e më efektive të të drejtave të qytetarëve.
“Në vitet e ardhshme brezat e rinj do të gjejnë arkivat e këtij takimi, ku brezat e rinj të shohin që për disa arsye dhe parime, kundërshtarët e një dite, mund dhe duhet, të bëhen miqtë e një beteje të përbashkët”, përfundoi fjalën e tij në takimin që inicoi vetë ministri i Drejtësisë Eduard Halimi. o.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





