

Tiranë, NOA.al – Letërsia shqipe vijon të përkthehet dhe t’i ofrohet edhe lexuesit të huaj. Pas botimit muajin e kaluar në Spanjë të romanit "I humburi", një tjetër vepër e shkrimtarit Fatos Kongoli botohet në gjuhë të huaj, këtë herë në frëngjisht. Është fjala për romanin “Bolero në vilën e pleqve”, i cili ditët e fundit është shpërndarë në libraritë e Francës, njoftoi noa.al, botime “Toena”, që është botuesi zyrtar në Shqipëri.
Ashtu si romanet e tjerë pararendës të botuar në frëngjisht, edhe ky i fundit është përkthyer nga Edmond Tupja. "Bolero në vilën e pleqve" është romani i tetë radhazi i këtij shkrimtari botuar nga e njëjta shtëpi botuese në Paris, “Rivages”. Ndërsa "I humburi" ishte libri i katërt i Kongolit i botuar në gjuhën spanjolle.
Romani rrëfen për dy pleq në moshë të shtyrë, të cilët i dërgojnë letra njëri-tjetrit, në lojë hyn edhe një infermiere lesbike që kujdeset për ta dhe nuk i reziston dot kureshtjes për letrat që pleqtë i dërgojnë njëri-tjetrit. Interesante është mënyra e të shkruarit të veprës nga ana e autorit. Ai provon të jetë një femër. Ky roman u promovua në Tiranë në shkurt të vitit 2009.
Kongoli, përmes rrëfimit të infermieres, zbulon misteret e saj, dramat e personazheve, ndërlikimet, dëshirat e fshehura, në një mjedis shpesh të egër, të pamëshirshëm, ku femra është më e pambrojtura. o.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





