

Një tjetër skandal në QSUT. Ilaçet për pacientët më tumore janë blere 8-fish më shumë se çmimi që duhet të ishte nga spitali onkologjik. Këtë fakt e ka bërë publik vetë kreu i Shëndetësisë Halim Kosova, ndërsa ka urdhëruar bllokimin e tenderit të zhvilluar. Procedurat për blerjen e medikamenteve pritet të përfundojnë brenda 15 majit.
"Nuk mund të pranoj që një ilaç në onkologjik të shitet 8-fishin e normës që normalisht duhet të jetë. Unë do i kërkoj falje pacientëve 100 herë, por kemi bërë përpjekjet maksimale dhe që sot duhet të nisë furnizimi që të mos mungojë asgjë, ndërkohë që tenderi kryesor duhet të mbarojë afatet deri në 15 maj", tha Halim Kosova, ministër i Shëndetësisë.
Ministri Kosova i cituar nga AS ka komentuar sërisht urdhërin më të fundit të tij, në lidhje me rikthimin e shefave të shërbimit në QSUT. Sipas tij, vendimi ka qënë i drejtë dhe i ligjshëm dhe se procesi ka qenë transparent.
"Vendimi i dytë i këshillit të ministrave për krijimin e universitetit mjekësor të Tiranës na krijon akoma më shumë mundësi për të bërë dhe përzgjedhjen e strukturave të domosdoshme në të mirë të fakultetit, studentëve dhe pacientëve", tha Kosova.
Këto deklarata kreu i shëndetsisë i bëri gjatë prezantimit të nismës më të fundit që do të zbatohet në spitale për raportimin e incidenteve në spitale. Ky projekt financohet edhe nga USAID dhe ka si qëllim, raportimin nga ana e personelit shëndetsor të incidenteve që ndodhin në spitale, në të cilat përfshihen incidentet në pajisje, ato personale, dhuna, ngacmimet dhe abuzimet.
Ndërkohë Ministri i Shëndetësisë, z. Halim Kosova ka deklaruar se transparenca ndaj publikut do të jetë thelbi i punës së tij në krye të Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas z. Kosova, nga kontrollet e fundit, që janë kryer në institucionet shëndetësore veçanërisht në QSUT është konstatuar një abuzim prej 2.4 miliard lekësh, tendera të kryera në masë më të madhe për blerje medikamentesh.
“Nga të dhënat e para ka abuzime. Jemi të vendosur ti shkojmë kësaj çështje deri në fund. Çdo abuzues do të përgjigjet në organet përkatëse konform ligjit”, ka theksuar z. Kosova.
Ndërkohë që ka premtuar ndryshim të situatës, sa i takon furnizimit me medikamente, brenda kësaj jave. Pacientët nuk mund dhe nuk duhet të vuajnë pasojat e tenderave për të pasur ilaçe. “ Qysh nesër do të fillojnë prokurimet por natyrisht nuk do të përdoren më ato çmime barnash që ishin përcaktuar më parë të cilat devijonin deri në pesëfish nga lista bazë e medikamenteve. Ka pasur devijime në fondet publike të dhëna për shëndetësinë dhe keq menaxhim të institucioneve veçanërisht QSUT”, u shpreh ministri Kosova.
Ministri Kosova tha se për shkak të keq menaxhimit të kësaj natyre QSUT është në këtë gjendje, ku ka mungesa të theksuar të ilaçeve dhe për shkak të çmimeve të barnave në disa raste 5 herë më të larta se lista bazë e medikamenteve, pacientët kanë pasur 5 herë më pak barna nga ajo që duhet të kishin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





