

Shkup, 9 maj 2013, NOA.al – Zëvendëskryeministri i Maqedonisë për Integrime Europiane, Fatmir Besimi theksoi sot se integrimi i vendit në Bashkimin Europian është qëllim i përbashkët i të gjitha partive politike.
Ai këtë e deklaroi me rastin e një takimi me diplomatët e vendeve anëtare të BE të pagëzuar “Mëngjesi me BE”, të organizuar për nder të 9 Majit – Ditës së Europës.
“Perspektiva europiane, gjegjësisht integrimi i Maqedonisë në BE është qëllimi i përbashkët dhe çështje konsensuale e të gjitha partive politike. Gjithsesi se në çdo fazë secili nga ne në bazë të këtij përcaktimi strategjik ka dhënë kontributin e tij në këtë resor dhe këtu jemi sot edhe njëherë së bashku ta konfirmojmë prioritetin e vendit për anëtarësimin në BE”, theksoi zëvendëskryeministri Besimi.
Ai nënvizoi se ka krijuar një praktikë të re për formimin e një Këshilli të zëvendëskryeministrave të deritanishëm të eurointegrimeve për këshillime dhe lobime për procesin e integrimit të vendit në BE dhe NATO.
Jane Milovski një nga zëvendëskryeministrat e parë për eurointegrime, theksoi se secili prej tyre mund të transmetojë një pjesë të përvojës personale në lidhje me procesin eurintegrues. Sipas tij, Maqedonia është shumë e vogël që të heqë dorë nga njohja e atyre që paraprakisht ishin të kyçur në ndonjë proces sepse të gjithë janë qytetarë të këtij shteti pa marrë parasysh përkatësinë politike.
Zëvendëskryeministri Besimi theksoi se takimi me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së do të jetë në funksion të bisedimeve për perspektivën e vendit për anëtarësim në BE dhe për këmbimin e mendimeve në këtë temë, duke përfshirë edhe avancimin e Maqedonisë në reformat e raportit të ardhshëm nga Komisioni Europian.n.p/a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





