Transmetuar më 08-05-2013, 20:59

Tiranë, 8 maj 2013, NOA.al/Arjola Ymeraj- Gjatë mbledhjes së kryesisë së Partisë Demokratike, Kryeministri Sali Berisha shprehu bindjen se ekipi i kandidatëve për deputetë është ekip shumë premtues, veçanërisht referuar ekipit të Tiranës duke thënë se përbëhet nga personalitete dhe individë me histori reale suksesi në karrierën e tyre.

Sipas tij ekipi i kryeqytetit është ai që udhëheqë fushatën elektorale të Shqipërisë, ndërsa shtoi se Tirana jep jo vetëm entuziazëm por edhe suksesin e fitores elektorale në të gjithë Shqipërinë.

Ai e cilësoi këtë fushatë si më intensiven, më të suksesshmen duke thënë se duhet të dominojë argumenti dhe debati me qytetarin.

“Ekipi në gjithë opinionin paraprak, në vlerësime është pritur shumë mirë, as nuk ka listë ideale dhe ajo çka është e vërteta se vlerësimi qoftë një nga një, qoftë si listë në memorien time është më mirë se në çdo zgjedhje të tjera. Në dallim nga çdo fushatë tjetër elektorale, këtë fushatë kemi përpunuar në tërësi programin tonë elektoral, ku një pjesë të tij e kemi shndërruar në ligje dhe vendime qeverie në muajt e fundit”, u shpreh Berisha, citon noa.al.

Ai kërkoi që gjatë fushatës të shkohet derë më derë, ndërsa tha se eufori nuk duhet të ketë në mënyrë absolute, por vendosmëri dhe përkushtim.

Duke iu referuar kandidaturës së Koço Kokëdhimës i dyti në listën e PS në Vlorë, ai tha se jo më kot e quante nënkryetar i partisë, ndërsa shtoi, “Që të gjithë në Vlorë e dinin se nuk shkoi Rama, por shkoi Koçua. Por ne do të merremi me programin tonë dhe e them publikisht se fushata jonë do jetë tërësisht pozitive dhe do jetë fushatë e vlerave”.

Lidhur me kandidaturat demokrate ai tha se është i vetëdijshëm se ka të zhgënjyer, por nënvizoi se aleatët e meritonin renditjen sepse kanë elektorat. Ndër të tjera ai tha se sistemi elektoral aktual duhet të ndryshohet, ose të bëhet i pastër proporcional, pasi kështu gjithnjë kritikohet, ku tha se gjërat prodhohen konstatohen pasojat dhe ndryshohet.a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit