










Bruksel, 8 maj 2013, NOA.al- Dita e dytë e takimit të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel nuk ka arritur asnjë marrëveshje.
Ka qenë zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi ai që ka deklaruar këtë fakt duke thënë se, delegacioni i Kosovës ka prezantuar gatishmërinë për arritjen e planit për implementim, që do të sqaronte veprimet konkrete të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, që do të ndalonte veprimin e strukturave ilegale të sigurisë dhe të drejtësisë, që do mundësonte përgatitjet për ndërtimin e strukturave institucionale sipas ligjeve të Kosovës, që të mbahen zgjedhjet lokale në tërë territorin e Kosovës këtë fundvit.
Në vijim ai ka theksuar se pala kosovare ka shprehur gatishmërinë që të realizojë zotimet që dalin nga marrëveshja, por ka qenë pala serbe ajo që ka pasur qëndrim për diskutim të temave jashtë marrëveshjes apo interpretim ndryshe nga përmbajtja e marrëveshjes.
Mësohet se pala kosovare ka propozuar që ky plan të diskutohet në takimin e ardhshëm mes dy kryeministrave, nën ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton. Sakaq takimi mes Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiç është parashikuar të mbahet më 21 maj.a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





