



Kopenhagen, 8 maj 2013, NOA.al- Në kuadër të vizitës së tij në Danimarkë kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama u prit në takim nga Kryeministrja Helle Thorning-Schmidt.
Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe zgjedhjet e lira e të ndershme si parakusht themelor për këtë integrim kanë qenë argumentet kryesore për të cilat është diskutuar në takimin midis kryetarit të Partisë Socialiste dhe kryeministres së Mbretërisë së Danimarkës.
Në këtë takim është diskutuar lidhur me domosdoshmërinë e integrimit të Shqipërisë, një integrim që sipas kryesocialistit Rama nuk mund të vijë në mënyrë mekanike thjesht duke miratuar ligje të cilat më pas postohen drejt Brukselit, por duke kryer reformat e duhura, duke zbatuar legjislacionin dhe duke i dhënë qeverisjes standardet demokratike evropiane për të cilat ka aq shumë nevojë populli shqiptar.
Në këtë kontekst një vend të rëndësishëm zë zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, për të cilat siç tha Rama, Partia Socialiste ka dhënë kontributin e saj të rëndësishëm, por që nuk ka gjetur të njëjtin reflektim edhe nga ana e qeverisë.
Po ashtu në takimin mes kryesocialistit dhe kryeministres daneze është diskutuar për pozicionin e Shqipërisë në rajon dhe projektin e PS të detajuar në Programin për një Rilindje Shqiptare për të forcuar bashkëpunim rajonal në kuadër të integrimit në BE, larg retorikave nacionaliste që nuk ndihmojnë asnjë nga vendet e Ballkanit perëndimor dhe as të ardhmen e këtij rajoni.
Në përfundim të takimit Kryeministrja e Danimarkës tha për mediat, “Patëm një takim shumë të mirë me liderin e opozitës Edi Rama, në të cilin diskutuam për situatën në Shqipëri dhe sigurisht diskutuam për çështjet integruese të Shqipërisë. Kur diskutohet mbi këtë temë gjithnjë diskutohet për zbatimin e ligjit, demokracinë dhe lideri i opozitës më dha një pamje të qartë të brendshme të situatës në Shqipëri pak muaj para zgjedhjeve.”
Nga ana e tij Rama tha se takimi ishte për të krijuar një ide të parë dhe të përgjithshme për Programin e Rilindjes në funksion të një bashkëpunimi me Danimarkën.
Në këtë vizitë kreu i PS, shoqërohet nga deputetët Ermonela Felaj dhe Ditmir Bushati.a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





