

Tiranë, 8 maj 2013, NOA.al- Kryetari i Këshillit Bashkiak në Tiranë, Njazi Kosovrasti ka depozituar pranë Prokurorisë së Tiranës, kallëzim penal për shpërdorim detyre, për sekretarin e Këshillit Bashkiak, Behar Zeneli.
Në kallëzimin penal, Kosovrasti thekson se në shkelje të nenit 36, pika 2, ligji organik, nr. 8652 datë 31.07.2000: “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, më datë 28/04/2013, shtetasi Behar Zeneli, në cilësinë e sekretarit të Këshillit Bashkiak Tiranë ka lëshuar aktin e titulluar: “Njoftim”, për zhvillimin e mbledhjes jashtë radhe të Këshillit Bashkiak”.
Në këtë linjë sqarohet se ligji organik, nr. 8652 në nenin 31, pika 4, përcakton se “thirrja për mbledhjen e Këshillit bëhet nga kryetari i Këshillit”. Njoftimin, sekretari i Këshillit e bën vetëm pasi Kryetari i Këshillit vendos të thërrasë Këshillin në mbledhje. Ligji ka diferencuar qartë thirrjen e mbledhjes nga njoftimi i saj.
“Kjo shkelje e paprecedentë e ligjit është arsyeja që më detyroi t’ju drejtohem Juve, me këtë kallëzim penal. Në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Bashkiak Tiranë, mendoj se një precedent i tillë i shkeljes së ligjit me dashje, përbën vepër penale dhe konkretisht veprën e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, atë të shpërdorimit të detyrës”, shkruan në kallëzimin penal Njazi Kosovrasti.
Më tej siç raporton noa.al Kosovrasti vlerëson se, “Me kallëzimin e këtij akti, nuk synoj të dënoj shtetasin Zeneli, por nëpërmjet tij dua të përfshihem në denoncimin e kësaj praktike kriminale të përdorimit të detyrës, në funksion të interesit të partisë dhe jo të shtetit, funksionar i të cilit shtetasi Zeneli është”. Kujtojmë këtu se pak ditë më parë këshilltarët e majtë në bashki ata të PS-LSI, zhvilluan një mbledhje jashtë rendit dhe jashtë ambienteve të sallës, ku votuan shkarkimin e Kosovrastit dhe votimin në vend të tij të socialistit Aldrin Dalipi.a.y/noa.al
Bashkia kallëzim në Prokurori për disa anëtarë të Këshillit Bashkiak
PS-LSI shkarkojnë kryetarin e Këshillit Bashkiak, votojnë Dalipin si kryetar
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





