




Tiranë, NOA.al- Në Ditën Botërore të Talasemisë, Fondacioni Fëmijët Shqiptarë së bashku me një grup diplomatësh dhe personalitete nga jeta publike në vend kanë dhuruar gjak për fëmijët talasemikë në Lushnje.
“Bëj atë që do të dëshiroje ta bënin të tjerët, nëse vetë do të kishit nevojë për gjak – Gjaku është jetik. Gjaku nuk mjafton kurrë. Ai kërkohet në çdo kohë për përdorim të menjëhershëm”, ishte slogani i Fondacionit Fëmijët Shqiptarë.
Me këtë ndjeshmëri, Fondacioni në mbështetje të vazhdueshme dhe të pakursyer ndaj fëmijëve talasemikë dhe familjeve të tyre, ishte sot në Qendrën e Trajtimit të Hemoglobinopative në qytetin e Lushnjes, për të dhuruar gjak.
Kësaj nisme të Fondacionit iu bashkua një grup i nderuar grash diplomate, pjesë e Klubit Diplomatik në Shqipëri, disa gra profesioniste, personalitete të shquara nga fusha të ndryshme të jetës publike në vend, si dhe zonja e parë e vendit, Odeta Nishani, citon noa.al njoftimin e fondacionit.
Presidentja e Fondacionit Fëmijët Shqiptarë, Dr. Liri Berisha i bëri apel individëve të shëndetshëm të dhurojnë gjak në mbështetje të fëmijëve talasemikë dhe familjeve të tyre, ndërkohë që u bëri thirrje të gjithë të rinjve që janë në prag të planifikimit të jetës së tyre familjare të kryejnë konsultat gjenetike dhe t’i nënshtrohen analizës së elektroforezës, me qëllim parandalimin e lindjeve të fëmijëve të prekur nga talasemia.
“Do të doja t’u bëja një thirrje të gjithë atyre që kanë mundësi të dhurojnë gjak për këta persona që vuajnë nga sëmundje të ndryshme të gjakut, veçanërisht për ato fëmijë të vegjël me talasemi, të mendojnë të zbusin sado pak stresin e këtyre familjeve, prindërve që zgjohen dhe ngrysen çdo ditë me merakun për të siguruar gjak fëmijës së tyre ditën e nesërme. Të mendojnë për ato fëmijë që çdo tre javë humbasin gëzimin, forcën, ngjyrën dhe gjallërinë e tyre për disa mililitra gjak në pritje të një dhuruesi, humanizmi i të cilit nuk do ta lërë që t’i fiket jeta, u shpreh Berisha.
Përfaqësuesja e klubit diplomatik “Mirëserdhet në Tiranë”, Ana Maria Wollfarth, përcolli një mesazh thirrjeje në emër të të gjithë personave dhe individëve në nevojë për gjak.
“Njerëzit duhet të vijnë këtu sot e të dhurojnë gjak. Ka shumë njerëz në nevojë për gjak dhe mendoj se ardhja këtu është gjëja më e mirë që mund të bëjnë. Jo vetëm sepse sot është dita ndërkombëtare e Talasemisë, por sepse të gjithë kemi nevojë. Ka shumë shqiptarë në nevojë për gjak ndaj lutemi thjesht të vini e të jepni gjak. Nuk të dhemb. Është fantastike. Në fund merr edhe këtë bluze”, tha diplomatja e huaj.o.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





