Transmetuar më 07-05-2013, 14:43

Kakavijë, 7 maj 2013, NOA.al- Policia kufitare e Kakavijës ka arrestuar një person të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia italiane.

Orjan Brozi 31 vjeç nga Kruja rezulton i dënuar nga Gjykata e Firenzes në Itali, me 8 vjet burg për vjedhje me armë, dhunë fizike e psikologjike ndaj një çifti italian.

Kjo ngjarje siç raporton noa.al, ka ndodhur në vitin 2002, ku Brozi ka bashkëpunuar me dy shqiptarë të tjerë për kryerjen e krimit.

Pasi ka kryer dy vite burg në shtetin fqinj, 31 vjeçari është arratisur nga burgu në vitin 2004 së bashku me katër shtetas italianë.

Nga viti 2004 deri në vitin 2012 ka jetuar në Spanjë, ndërsa gjatë vitit të fundit ka jetuar në Greqi.

Paraditen e sotme ai ka hyrë në Shqipëri nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Kakavijës, duke dhënë gjeneralitete të tjera, por nga verifikimet e policisë rezultoi se të dhënat nuk përkonin me identitetin e tij të vërtetë.

Arrestimi i tij u bë me synim ekstradimi drejt Italisë, ku pritet të vuajë pjesën e mbetur të dënimit.a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit