Transmetuar më 07-05-2013, 12:50

Tiranë, NOA.al – Filmi i restauruar “Nëntori i dytë” do të vazhdojë të shfaqet në SHBA, kësaj here në 18 maj, në Boston.

Pasi iu nënshtrua një procesi restaurimi dhe subtitrimi në gjuhën angleze, tashmë filmi pas Shqipërisë, po vijon të shfaqet edhe në Amerikë. Para se të fillonte procesi i transferimit të filmit, ai iu nënshtrua një pastrimi të detajuar, rregullimi të çdo kuadri dhe pastaj u bë transferimi në dixhital, raporton noa.al duke iu referuar njoftimit të Arkivit të Filmit.

Kjo është përshtatja e parë në gjuhën angleze e filmit, si dhe restaurimi i tij i parë, një bashkëpunim midis Projektit të Kinemasë Shqiptare, Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit dhe "Colorlab Corp". Ky projekt paraqet restaurimin e parë dixhital të filmit artistik shqiptar “Nëntori i dytë”, prodhim i viti 1982 i regjisorit të njohur Viktor Gjika. Skenari i filmit është shkruar nga shkrimtarët Dhimitër Shuteriqi e Kiço Blushi. Realizuar tre vjet para vdekjes së Enver Hoxhës, filmi pati premierën e tij në fund në nëntor 1982. Gjatë prodhimit të filmit, Shqipëria hyri në një nga periudhat më të errëta të saj gjatë pesëdhjetë viteve të sundimit marksist.

Ngjarja e shpalljes së Pavarësisë, kur personalitetet më të famshëm të kombit, të udhëhequr nga Ismail Qemali, pas shumë pengesash ngritën flamurin shqiptar në Vlorë, kësaj here do të shfaqet për publikun amerikan.

Projekti i Kinemasë Shqiptare i është përkushtuar ruajtjes, restaurimit dhe promovimit të trashëgimisë filmike shqiptare dhe mbas filmit “Nëntori i dytë” pritet të restaurohen edhe filma të tjerë.o.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit