

Anëtarë të Kongresit, zyrtarë të Departamentit të Shtetit dhe analistë i cilësuan të një rëndësie kritike zgjedhjet e 23 qershorit për të ardhmen e Shqipërisë. Komisioni amerikan i Helsinkit mbajti një seancë për Shqipërinë të hënën, ku një nga temat më të debatuara ishte ajo e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Zëvendës ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker vlerësoi përparimin e deritanishëm të vendit dhe shprehu mbështetjen për integrimin evropian të tij, por shtoi se Shtetet e Bashkuara ndajnë mendimin e Komisionit Evropian se zgjedhjet e 23 qershorit do të jenë një provë kritike për gatishmërinë e Shqipërisë për statusin e kandidatit të Bashkimit Evropian.
“Ecuria e këtyre zgjedhjeve do të jetë një tregues i rëndësishëm i pjekurisë demokratike të Shqipërisë dhe do të dërgojë një sinjal të qartë nëse Shqipëria është gati për statusin e kandidatit të BE-së. Po ashtu do të ketë ndikim në marrëdhëniet tona dypalëshe me Shqipërinë”, tha ai.
“SHBA dhe partnerët tanë evropianë, kanë theksuar se demokracia nuk ka të bëjë vetëm me faktin se kush i fitoi një palë zgjedhje dhe kush i humbi. Edhe procesi demokratik ka rëndësi”.
Kreu i Komisionit të Helsinkit, senatori Benjamin Cardin vlerësoi përparimin e shpejtë të Shqipërisë, në vitet pas rënies së komunizmit, por shtoi se në vitet e fundit ky ritëm ka ndryshuar dhe në disa raste disa shanse për përparim kanë humbur.
“Populli shqiptar meriton zgjedhje të lira dhe të ndershme, meriton premtimin e demokracisë në kuptimin e plotë”, vuri në dukje ai.
Kongresmeni Eliot Engel ra dakord me Reeker se zgjedhjet kanë rëndësi për mënyrën sesi do të mbahen. “Unë u bëj thirrje të gjitha partive politike që të zbatojnë premtimet që i kanë bërë OSBE-së për mbajtjen e zgjedhjeve dhe fushatën që i paraprin atyre. Zgjedhjet duhet të konsiderohen nga OSBE-ja si të lira dhe të drejta. Një gjë e tillë jo vetëm do t’u jepte legjitimitet rezultateve për elektoratin shqiptar dhe komunitetin ndërkombëtar, por do të ishte një mandat që të gjitha partitë politike të pranonin rezultatet përfundimtare dhe të zënë vendet e tyre në parlament”.
Zëvendës Ndihmës Sekretari Reeker tha se KQZ-ja nuk duhet të bëhet objekt ndërhyrjeje i asnjë individi, partie politike, apo institucioni, përfshirë Parlamentin. “Anëtarët e KQZ-së që janë përzgjedhur dhe caktuar mbi bazën e një konsensusi ndërpartiak dhe në përputhje me Kodin Elektoral, duhet të jenë apolitikë. Me të marrë detyrën, anëtarët e KQZ-së janë të angazhuar dhe të detyruar që t’i zbatojnë përgjegjësitë e tyre në mënyrë të paanshme për të realizuar zgjedhje të lira, të drejta dhe zgjedhje demokratike në Shqipëri”, tha ai.
Diplomati Reeker i inkurajoi udhëheqësit e partive politike që të arrijnë një kompromis dhe shprehu besimin se ata mund ta realizojnë një gjë të tillë.o.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





