

Shkup, 6 maj 2013, NOA.al- Shoqatat e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) në Maqedoni kërkojnë zgjidhjen e shpejtë të statusit të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës të UÇK-së që ishin pjesëmarrës në konfliktin e vitit 2001.
Kjo kërkesë u bë me rastin e shënimit të Ditës së Dëshmorëve, 5 maji. Edhe pas 12 viteve nga përfundimi i konfliktit të vitit 2001, akoma nuk është zgjidhur statusi për UÇK-në.
Partitë politike shqiptare vazhdimisht kanë bërë kërkesa për zgjidhjen e kësaj çështje, derisa ajo akoma nuk ka gjetur zgjidhjen institucionale.
Mbi 12 vite nga konflikti i vitit 2001 në Maqedoni, akoma nuk është zgjidhur statusi i familjeve të dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së.
Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Fazli Veliu edhe sot ka shprehur kërkesën për të zgjidhur statusin e UÇK-së.
“Familjet e dëshmorëve kohëve të fundit janë duke kërkuar statusin e tyre real si familje dëshmorësh që kanë rënë për atdheun dhe jo të kombinuar me forma të tjera në mënyrë shumë etnike institucionalisht të përzier, kështu që jemi të mendimit që kështu vet në këto forma që i kemi si komuna shqiptare të plotësojmë këtë status të atyre që e meritojnë statusin e dëshmorëve të atdheut. Nëse këta tanët e qeverisë nuk e zgjidhin vetë dhe nuk japin nënshkrimet e tyre dhe jo të palës tjetër se pala tjetër vepron në mënyrën e saj e jona në tonën, atëherë ne do i detyrojmë ata që të japin nënshkrimet e tyre si shqiptarë për çështjen tonë”, theksoi Veliu, me rastin e homazheve pranë varrezave të dëshmorëve të UÇK-së.
Kërkesat e tilla janë përsëritur edhe nga shoqata dhe organizma të tjerë. Shoqata e Veteranëve të Luftës “Kalaja” gjithashtu ka bërë thirrje për zgjidhjen e statusit për dëshmorët e lirisë dhe ndalimin e nëpërkëmbjes së veteranëve të UÇK-së mbi 12 vite nga përfundimi i konfliktit të vitit 2001. Kjo shoqatë ka bërë të ditur se ka informuar organizmat ndërkombëtare për gjendjen e mjerueshme të një pjese të madhe të ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Maqedoni.
Kërkesa për zgjidhje për statusin e UÇK-së është bërë edhe nga diplomatë perëndimorë, të cilët kërkojnë që kjo zgjidhje të jetë në pako dhe një formë pajtimi me zgjidhjen e statusit edhe të branitellave maqedonas.n.p/a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





