

Tiranë, NOA.al- Ndërsa janë mbledhjet e fundit para përfundimit të legjislaturës parlamentar, Komisioni i Ekonomisë miratoi sot dy akte normative, njëri për kredinë për zgjatjen e bulevardit të Tiranës si dhe aktin normativ për shtyrjen e afatit të procesit të rivlerësimit të pasurive deri në datën 31 tetor 2013.
Akti normativ për shtyrjen e afatit të rivlerësimit të pasurive është një masë që sipas ministrisë së Financave është marrë në mbështetje të emigrantëve. “Pushimet verore po afrojnë, me mijëra emigrantë mbeten pa rivlerësimin e banesave të tyre. Qeveria vendos një afat të ri në këtë proces me shumë interes për ta. Janë me mijëra emigrantë që nuk kanë arritur ta kryejnë këtë procedurë", pati deklaruar kryeministri Berisha në një nga mbledhjet e qeverisë pak javë më parë ku foli për këtë vendim.
Komisioni i Ekonomisë miratoi dhe aktin normativ "Për financimin e zbatimit të Projektit "Zgjatimi i Bulevardit verior dhe Rehabilitimin e Lumit të Tiranës". Qeveria e Katarit i ka dhuruar një grant prej 7 milionë eurosh Bashkisë së Tiranës, grant ky që parashikon zgjatimin e bulevardit, në vendin ku sot është Stacioni i Trenit si dhe përmirësimin e situatës përgjatë Lumit të Lanës.
Dy aktet normative, pas miratimit nga Komisioni i Ekonomisë do të kalojnë për miratim në seancën plenare të ditës së sotme, me procedurë të përshpejtuar.o.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





