

Partitë Politike shqiptare pritet të publikojnë sot listat e kandidatëve për deputetë që do të garojnë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 qershorit.
Dita e sotme, 6 maji është afati i fundit për dorëzimin e listave të kandidatëve të subjekteve zgjedhore që do të marrin pjesë në votimet e 23 qershorit, raporton noa.al.
Burimet thonë se situata në të dy kampet është e tensionuar për shkak të emrave që krerët e partive kanë lanë jashtë listës. Ndonëse nuk ka ende informacion të saktë, të pakënaqurit kanë shfrytëzuar hapësirat mediatike apo rrjetet sociale për të njoftuar mos kandidimin dhe në shumicën e rasteve edhe largimin nga partitë e tyre.
Kodi Zgjedhor në nenin 67 të tij përcakton se "partia politike, që është pjesëtare e një koalicioni, depoziton në KQZ listën shumë emërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve".
KQZ regjistroi dy koalicionet parazgjedhore që do të konkurrojnë më 23 qershor, një i spektrit të djathtë dhe një i spektrit të majtë. "Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim", që grupon 25 forca të djathta dhe të qendrës, drejtohet nga Partia Demokratike.
Ndërsa e majta përfaqësohet në zgjedhje me koalicionin "Aleanca për Shqipërinë Evropiane", një formacion prej 37 partish, i drejtuar nga Partia Socialiste.o.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





