Transmetuar më 05-05-2013, 18:23

Tiranë, 5 maj 2013, NOA.al- Kur vetëm 24 orë ndajnë nga afati përfundimtar për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Forumi Rinor Eurosocialist Shqiptar, nëpërmjet një letre publike i bënë apel kryetarit të PS Edi Rama, që të përfshijë dy kandidatë.

Në letrën-apel të FRESSH kërkohet që të kandidohen për deputetë Erion Braçe dhe kryeratja e FRESSH Elisa Spiropali, si dy personalitete me peshë për opozitën shqiptare.

Në letrën e trye thuhet, “Ne, një grup të rinjsh të Forumit Rinor Eurosocialist Shqiptar, opozitarë dhe kontributorë gjatë gjithë këtyre viteve opozitë jemi shumë të shqetësuar në lidhje me procesin e përzgjedhjes së deputetëve nga ana e lidershipit të Partisë Socialiste. Si një grup i madh të rinjsh që mbështesim Partinë Socialiste dhe FRESSH, kërkojmë që në Parlamentin e ardhshëm të përfaqësohemi denjësisht nga dy njerëz frymëzues për ne, ELISA SPIROPALI dhe ERJON BRAÇE. FRESSH si një pjesë e rëndësishme dhe shumë e madhe e Partisë Socialiste kërkon dhe duhet të përfaqësohet nga Kryetarja e saj, Elisa Spiropali dhe deputeti Erjon Braçe, i cili ka qenë zëri më i spikatur i opozitës shqiptare! Ne bëjmë me dije se në rast se në Parlamentin e ardhshëm nuk do të jenë këta dy figura që përfaqësojnë interesat e shumicës së të rinjve eurosocialistë dhe atyre shqiptarë, deklarojmë se do të protestojmë ditën e nesërme përpara selisë së Partisë Socialiste dhe do të angazhohemi për një AKSION BOJKOTIMI MASIV të fushatës dhe të zgjedhjeve nga çdo i ri socialist”.

Ndër të tjera thuhet të rinjtë e FRESSH besojnë te rilindja, por shtojnë se kurrsesi ajo nuk mund të vijë më 23 Qershor pa kandidimin e figurave opozitare, të pakurroptuara, dinjitoze dhe me integritet si Spiropali dhe Braçe.

Të rinjtë e FRESSH i bëjnë apel Edi Ramës që të mos zhgënjejë pritshmëritë e çdo të riu anembanë Shqipërisë dhe të mos i detyrojë të angazhohen për bojkotim të fushatës së Partisë Socialiste.a.y/noa.al

Reagimi nga Elisa Spiropali, mbrëmjen e së Dielës

"Sot në media është shpërndarë një deklaratë shkruar nga një grup të rinjsh eurosocialistë që shpreh shqetësimin për përfaqsimin e FRESSH, emrit tim personalisht, dhe të deputetit të shkëlqyer Erjon Braçe, në listat aq përfolura të Partisë Socialiste. Së pari, i përgëzoj ata për shqipen e kulluar dhe mendimin politik të shprehur aq qartë dhe me guxim. Gjë e rrallë në politikën shqiptare! Më tej, dua t’u them me përzemërsi se unë dhe Erjon Braçe, duke marrë leje për përdorimin e emrit të tij, jemi në luftë me pushtetin klientelist, arrogant dhe primitiv që po i merr frymën Shqipërisë, dhe jo me Partinë Socialiste të cilën e duam pa kushte. Jemi të sigurtë që këtë luftë do e fitojmë me 23 Qershor sëbashku me ju. Së fundmi, dua të siguroj ata dhe dashamirësit e tjerë të mesazheve apo letrave plot shqetësim se Erjon Braçe, unë dhe shumë "njerëz dinjitoz, të pakorruptuar dhe me integritet" siç shpreheni ju të dashur miq, do jemi në Kuvendin e Shqipërisë për ta çuar në fund luftën tonë të përbashkët".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit