Transmetuar më 05-05-2013, 11:17

Qysh nga viti ‘97 e këtej shumë ngjyra e formacione ka ndërruar Partia Socialiste. Edhe më tradicionalët kanë dalë nga zhgualli i tyre, ca kapur pas frerëve të rinj ca pas yzengjive të kallajisur. Kolazh që zien, me të rinj e të vjetër, rrasur nën një këmishë force, të detyruar të bashkëjetojnë. Po njëri zyresh ka mbetur i njëjti. Erjon Braçe.

Nga Edi Lesi Nëse do të bënim portretin e një socialisti shqiptar, atëherë me siguri që do të kalojmë patjetër nga relievi dhe gjurmët e deputetit të Beratit. Herët ka rënë në sy një asketizëm që e bënte atë jo të veçantë, por krejt të kundërt me kolegët e tij. Teksa të gjithë socialistët e ardhur në pushtet nisën të shijojnë prikën e majme, ku më e dukshmja gjë e mëkëmbjes ishte flota e makinave luksoze që zotëronte gjithsecili, Erjon Braçe lëshonte gaz të rëndë karbonik nga një benz i vjetër që thuhej se kishte brenda humbëtira nga ku mund të ikje matanë po të mos e kishe mendjen. Rrezikoi paq që të dukej donkishot i viteve 2000, teksa miqtë e tij ishin modernizuar aq shumë. Po donkishot jo vetëm për parimet e luftës, por dhe për idealet e ruajtura. Ishin lëshuar socialistët shumë për të përvetësuar, e pak për të qeverisur. Erjon Braçe gjithnjë e kishte një zë për interesin pak më të gjerë se sa punët private të partisë së tij. Dukshëm i mbylli dy mandate të PS-së në pushtet pa u stresuar fare në plotësimin e formularit të deklarimit të pasurisë, pa pasur nevojë të bënte dredha, të hiqte, të fshihte, të vinte në emër të dikujt pasuri përrallore, siç bënë shumë kolegë të tij. Të paktën publikisht ai nuk është dyshuar as akuzuar nga askush deri më sot për korrupsion. Erdhën vitet e opozitës. Erjon Braçe, një jakobin me letra në dorë nga dita e parë e deri më sot. I shqetësuar gjithnjë për pasurinë publike. Emotiv pa kufizime, gjithnjë duke denoncuar atë që e shihte si dëmtim të pronës së përbashkët. Vështirë të gjesh një seancë Kuvendi ku të mungojë retorika e tij gjithnjë e paqetë dhe metalike. Në krye të një beteje, paçka se shpesh ishte e vështirë të dalloje të vërtetën nga e gënjeshtra. Muajt e fundit Braçe është përpjekur shumë për të mos bërë goditje poshtë brezit. Ai ka qenë një opozitar aq i pashmangshëm, sa jo rrallë ka detyruar edhe Kryeministrin të marrë seriozisht në konsideratë shqetësimet e tij, gjë që Berisha nuk e ka bërë me shumëkënd nga parlamentarët socialistë. Akuzator i përditshëm i pushtetit, ka publikuar çdo ditë ato që i ka menduar si shkelje, korrupsion, abuzim etj. Edhe kur kupola e PS-së ishte e zënë me punët e veta ose me pushime të gjata, Braçe nuk e ka lënë asnjë orë bosh frontin. Nuk dihet se ç’ndodh me saktësi në zemrat e të majtëve, por me siguri ato janë ngrohur shpesh nga zjarrmia antiqeveritare e Braçes. Në gjithë këtë veprimtari të dendur, kohët e fundit ai ka mbajtur kokën vazhdimisht lart, pa u ulur në kënetën e thashethemeve të pista, duke mos nëpërkëmbur emrin e dinjitetin e familjarëve të çdokujt pa pasur prova. Kjo e ka bërë sërish të veçantë, duke parë se çfarë karriere të sigurt kanë në PS ca të tjerë që janë aty vetëm për të hedhur gjyle pështyme dhe vreri ndaj njerëzve të afërt të politikanëve. Ka mbrojtur jo vetëm interesin publik, por ka bërë prore avokatinë e çdo socialisti, atyre që ka përfaqësuar direkt me mandatin e tij dhe të tjerëve. Edhe dy ditë duhet për të marrë vesh emrat e rinj të kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste. Nisur nga kritere objektive, të gjithëpranuara, Erjon Braçe duhej të kishte marrë me kohë vendin që i takon në formacion, madje kjo shoqëruar edhe me nja dy fjalë të mira nga kryetari i PS-së. Të tjera janë kriteret e partisë së Braçes me sa duket. Ai jo vetëm nuk është komunikuar për këtë gjë, por nuk dihet ende nëse është më pjesë e projekteve të Ramës apo jo. Lista e kandidatëve është një moment kyç në fushatën zgjedhore. Është një hop që dikush mund ta kthejë në burim frymëzimi, dikush jo. Në fund, lista është edhe modeli që një lidership ndjek për të rregulluar karrierën në parti. Çfarë duhet të bëjë dikush më shumë se sa Erjon Braçe për të qenë jo vetëm i pari në listën e PS-së, por tashmë edhe i shpallur? Rasti i tij do të ishte një piketë e vënë në fushë, për t’iu treguar edhe lojtarëve të tjerë se si arrihet në finish. Duke mos e bërë këtë, Rama po ofron në partinë më të madhe në opozitë një model të përmbysur. Modeli është ky. Nuk duhet të bësh opozitë, por duhet të shash. Duhet të trembesh edhe nga hija e kryetarit. Mos guxo të mos adhurosh Edi Ramën. As mos të të shkojë në mendje, as në ëndërr, ta kundërshtosh atë. Ti nuk ke personalitet, askush nuk ka. Ka vetëm një individ në parti, që është kryetari. Të tjerët janë frymë. Duhet të përvetësosh stilin e tij dhe të kthesh në normë çdo dekadencë morale. Së fundi, duhet të vuash nga amnezia për të harruar gjithçka ka ndodhur para 1 prillit. Me sa duket, Erjon Braçe nuk i plotëson këto kritere. Në këto kushte, vështirë se kalon dhe në short-list për t’u marrë në intervistë. Po kërkesat e modelit të ri zor se janë kërkesat e socialistëve. Rama e di mirë këtë. Ai nuk ka leverdi që të mos bëjë deputet një si Erjon Braçe. Përkundër dëshirës së tij, por duke dashur të mos përballet me pakënaqësi në bazë, ai me siguri që do ta hedhë diku emrin e tij, madje mbi vijën e kuqe. Ama e ka dhënë kartonin e verdhë. Dhe nëse i jep karton të verdhë Erjon Braçes, atëherë gjithë të tjerët duhet ta dinë mirë se sa afër përjashtimit nga loja janë. Unë nuk jam i shqetësuar për fatin personal të Erjon Braçes. Kjo është një letër drejtuar atij për të kuptuar çfarë po ndodh me modelin e ri në PS, sigurisht nëse ai ka informacion. Sepse modeli që ndjek partia më e madhe e opozitës është një çështje që na përket të gjithëve.

"Panorama"

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit