

Tiranë, 5 maj 2013, NOA – Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot, pas homazheve në memorialin “Nënë Shqipëri” me rastin e Ditës së Dëshmorëve, se sot vendi vlerëson sakrificën më sublime të vajzave dhe djemve të kombit.
Kryeministri tha se me sakrificën e tyre, dëshmorët bënë të mundur që Shqipëria te jenë një vend i sigurt dhe anëtare e Aleancës së Atlantikut Verior.
“Nderimi më i madh, ndjenjat, dashuria, gjithçka tjetër janë sot tek të rënët e kombit tone. Çdo shqiptar përulet me nderimin më të madh para atyre vajzave e djemve, burrave dhe grave që me sakrificën e tyre sublime bënë të mundur që shqiptarët sot t’i nderojnë ata në liri. Bënë të mundur që Shqipëria sot të jetë anëtare e aleancës më të fuqishme të lirisë. Bënë të mundur që sot Shqipëria të jetë një vend që ecën e sigurt në rrugën e integrimit evropian”, tha Kryeministri.
Ai shtoi se sot është një ditë ku duhen vlerësuar ata që bënë të pavdekshme veprën e tyre. “Nder përjetë atyre, familjeve të tyre që sot nuk kanë më të dashurit, por kanë emrin e mirë që ata lanë për veprën e pavdekshme që realizuan”, u shpreh kryeministri Sali Berisha në një prononcim për mediat pas homazheve.
a.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





