Transmetuar më 05-05-2013, 09:19

Si sot java shtrova pyetjen: Po sikur Saliut t’i shkojë mendja të shpallet mbret, kush do ta ndalonte? Dhe argumentoja, pa pretenduar të kem fund e krye të drejtë, se në vende si i yni, s’ka gjë më të kollajtë sesa të biesh pre e marrëzisë së njëshit, siç edhe ka ndodhur jetë e mot.

Nga Artan Lame

Mirëpo më të shumtat e mesazheve që mora, ishin nga njerëz që përpiqeshin të më argumentonin se kanë ikur kohët e diktaturave, se sot është e pamundur, se opinioni, se kjo e se ajo.

Miq e shqiptarë, duke pretenduar ta njoh pak a shumë mirë, jo thjesht historinë e këtij vendi, por veçanërisht mekanizmat se si janë vënë e vihen në lëvizje punët në truallin arbëror, më lejoni të këmbëngul se ju nuk mund as ta merrni me mend se sa e lehtë është të biem ndën diktaturë.

A t’u jap një shëmbëll të djeshëm? Ishte në një debat televiziv Ilir Beqja me Ridvan Boden dhe me moderator Artur Zhejin. Ishte mbrëmja e datës 2 maj, pasi kishim parë më 1 maj që shqiptarët në ditën ndërkombëtare të punëtorëve, u dhanë pas qejfeve e muhabeteve të tyre, për të harruar për një moment fukarallëkun.

Por jo, ja argumentimi i Bodes nga ekrani: “Janë rritur pagat, është rritur mirëqenia dhe prandaj punonjësit nuk protestojnë më 1 maj”. A mund të më thotë dot njeri, se ku ndryshon ky arsyetim nga përralla me të cilin jemi rritur të gjithë ne, sipas së cilës në vendet borgjeze proletariati proteston kundër borgjezisë, ndërsa në Shqipërinë socialiste klasa punëtore është e lumtur ndaj manifeston me gëzim në bulevard përpara tribunës së Enver Hoxhës???!!!

Janë absolutisht njësoj, madje, nisur edhe nga leksiku i kufizuar i Bodes, edhe termat që përdori ishin pak a shumë ato që mbante mend nga djalëria e vet kooperativiste. Natyrisht që në kohë të Komandantit, Ridvani, që nga kooperativa e tij, e besonte fjalën e Partisë, ndërsa unë dhe Beqja këtu në Tiranë kishim filluar prej kohe të kishim dyshime për këtë.

Ka në fakt një ndryshim ende. Qeveria vërtet ka nisur të flasë si në diktaturë, por ende na lejon ta themi publikisht se po thotë broçkulla. Që këtej e deri në fazën kur as këtë nuk do të na i mundësojë dot, nuk duhet edhe shumë. Them “mundësojë” dhe jo “lejojë”, se ndoshta nuk do të arrijnë te ndalimi i fjalës së lirë, thjesht do të kufizojnë dhe vështirësojnë mundësinë për ta thënë atë.

Epo fshatar Ridvani, do të më thoni, aq di aq bën, si ata partizanët që zbritën nga malet më ‘44-n dhe që vërtet ashtu mendonin se do të ishte jeta e re. Jo, s’është aspak kështu. Vërtet që kopaçet i këpuste Ridvani, por moderator i emisionit ishte Tur Zheji, një personazh jo pak i kultivuar që, përpara një broçkulle të tillë nuk mund të rrinte siç ndenji, pa folur, por të paktën një “çfarë thua more karabush” duhej t’ia kish lëshuar. Por jo, edhe Zheji mbylli gojën, në një mënyrë a një tjetër edhe ai me gjithë kultivimin tij, është pjesë e establishmentit ekzistues dhe i rruat kultura se i hapi udhë diktatit.

Njësoj si më ‘28-n, kur Ahmeti nga Burgajeti tha do të më bëni mbret, pati shumë injorantë e dallkaukë aso kohe që i thanë “po” me gjithë zemër se aq mënt kishin, por pati edhe shumë intelektualë dhe njerëz të kultivuar që, ose nuk hapën gojë ose hynë në rrogë të qeverisë apo në shërbim të qeverisë dhe i thanë bukës bukë. Njësoj edhe si më ’44-n, kur nga mali nuk zbritën vetëm partizanë pa shkollë, që ndoshta edhe mund t’u falet besimi i verbër, por edhe shumë njerëz të shkolluar e të kënduar që, ku me hir e ku me pahir, u bënë javash-javash pjesë e diktaturës që na mbyti të gjithëve pastaj.

Hiqeni nga mendja mendjen se “ato ishin të tjera kohë”. Vërtet kohët ndryshojnë, por kjo është meritë e kalendarit, ndërsa ndryshimi i mendjeve duhet të jetë meritë e njerëzve dhe pikërisht këtë nuk bëjmë ne.

A po e shihni se ç’bëhet nëpër shkollat, ku tashmë gati haptazi fare nxënësit po anëtarësohen nga mësuesit në PD? Është një gjë e pistë, e ndyrë sa s’ka ku të vejë më. Nuk e kam parë as Zhejin e as Çanin, as Tan Hoxhën e as Fevziun, e as shumë të tjerë sinjorë të fjalës, të hapin gojë. E pra është përdhosja më e madhe që mund t’u bëhet. Le ta shajnë Ramën sa të duan dhe bëjnë mirë, por të paktën një fjalë të vetme për fëmijët e mbetur në dorë të ciklave të pështymës së drejtorëve injorantë, duhej ta kishin thënë.

Para disa muajsh, ndërsa vlonte ende debati për shkatërrimin e Parkut të Liqenit, më telefonon prezantuesi i një emisioni të së dielës dhe më kërkon të shkoj si i ftuar në emisionin e tij, në një prej ekraneve kryesore të vendit, por i afërt me qeverinë. Prezantuesi është nga më të vjetrit e fushës së tij dhe e njohim në këtë zanat që prej vitit të largët 1991. Dakord i thashë, por me një kusht, më pyet për çfarë të duash, por do të më lejosh të hap edhe temën e shkatërrimit të Parkut. Tan aman – m’u përgjigj – ti e di që këtë s’e bëj dot se nuk më lejojnë. E po turp e faqe e zezë, shpërtheva, kur më thua kështu edhe ti që ke 20 vjet që ke një figurë publike dhe tani vjen dita që të të censurojnë, apo edhe më keq, po autocensurohesh dhe, jo për ndonjë gjë të madhe, por edhe për punë të një lulishteje! Që atë ditë nuk kemi folur më.

Po diktaturat kanë edhe një tjetër ves të keq, atë që zakonisht vendosen si duke qeshur, e si me gëzim. E patë atë grupin folklorik të asaj komunës në Berat që i kish ngritur këngë Saliut: “O Sali t’u bëfsha ferrë / merr pushtetin dhe një herë”? Ne, hundë-hollët e Tiranës, të majtë a të djathtë, mund të qeshim sa të duam, por atje ku kjo këngë po këndohej, e kishin me tërë mënt. Se edhe ata që këndonin “Enver Hoxha e nxorri shpatën / edhe një her o për situatën” seriozisht e kishin dhe, do të bini dakord me mua, se nuk ndryshojnë shumë nga këta mjeranët e Beratit që Saliu i quajti edhe “grup i nderuar folklorik”.

Pastaj, kur gazi mbaron dhe mbetet vetëm dhuna, aha atëherë do të jetë vonë për të gjithë, por sa para bën. E shihni pra se sa lehtë mund të marrë për keq puna në vende që demokracinë e kanë me të dëgjuar, kur dikush vendos t’i kthehet rrugës së vjetër, asaj të diktatit, që nder s’bën, po pa gjë s’të le?!

"Shqip"

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit