

Ka nisur në orën 23.00 shërbesa fetare me rastin e festës ortodokse të Pashkëve. Këtë Pashkë, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos sërish ka drejtuar meshën. Këto ditë ai ishte në gjendje shëndetësore jo të mirë por mbrëmjen e së Shtunës ai ka mbërritur në shërbesën e Pashkëve.
Në shërbesë, Janullatos ka folur në gjuhën greke dhe është përkthyer për të pranishmit.
Kjo javë në prag të së Dielës së Pashkës, ishte Java e Zezë. Ajo karakterizohej nga ditët e zeza të javës dhe të Premtes së kryqëzimit të Krishtit. Gjatë këtyre gjashtë ditëve, feja ortodokse ndalon konsumimin e çdo lloj produkti që vjen nga qeniet e gjalla shtazore.
Kurse e diela e ringjalljes pasohet nga festime dhe therjen e pjekjen në hell të qengjit të Pashkës.
Kisha Ortodokse njoftoi të shtunën se të dielën nuk do të ketë shërbesa, por vetëm pritja tradicionale, nga ora 12.00 – 13.30, ne selinë e re te Sinodit te Shenjte, ne Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
***
Më herët sot, Kisha Ortodokse në Shqipëri ka publikuar mesazhin që Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi do të lexoj sot për gjithë besimtarët në shërbesën e meshës së Pashkëve në orën 23:00.
Kreu i kishës ortodokse uron gjithë besimtarët për këtë festë dhe bën apel për më shumë dashuri dhe optimizëm. “Vëllezërit e mi, sado që epoka jonë është shpesh e errët, e mbushur me pasiguri, hidhërim dhe shqetësim, të mos e lejojmë trishtimin dhe dëshpërimin të sundojnë në shpirtin tonë. Përkundrazi, le t’i përgjigjemi me besim ftesës paskale: “Ejani të ngazëllohemi më Zotin, i cili shtypi pushtetin e vdekjes dhe ndriçoi gjininë njerëzore”. Krishti i Ngjallur, dërrmoi pushtetin e vdekjes, -na siguron e kremtja e sotme, – dhe vazhdon të shpërbëjë çdo frymë vdekjeprurëse frike, mëkati, sëmundjeje, padrejtësie. Le ta fuqizojmë njëri-tjetrin me dashurinë, besimin, optimizmin dhe solidaritetin”, thuhet në mesazhin e Kryepeshkopit Anastas.
Ai vlerëson dhe rëndësinë që ka për besimtarët ortodoksët festimi i Pashkëve në Katadralen e re. “Veçanërisht ne, orthodhoksët në Shqipëri, le të lavdërojmë Perëndinë sepse sivjet na denjësoi të kremtojmë në këtë kishë katedrale madhështore, që mban emrin “Ngjallja e Krishtit”, dhe ofron vend për meditim, lutje, ngushëllim dhe solidaritet”, shprehet Anastasi.
Pashka, për më tepër, është një e kremte që e ndiejnë dhe e shijojnë jo vetëm besimtarët, por edhe njerëzit që ndodhen në kërkim e sipër, që lëkunden midis besimit dhe të besuarit të paktë.
Krepeshkopi Anastas Janullatos shprehet se koha e sotme është e turbullt, por lajmi i gëzueshëm është ringjallja e Krishtit. “Kjo ftesë, në pamje të parë duket paradoksale, se injoron realitetin, ku na mbyt një atmosferë e turbullt, e mbushur me pasiguri, varfëri e shkurajim. E megjithatë, pikërisht kjo ftesë paskale na ndihmon të kuptojmë dhe të pranojmë një realitet tjetër. Sado dëshpëruese të jenë kushtet e sotme të jetës, ekziston një lajm i gëzueshëm i përjetshëm, të cilin Kisha e shpall gjatë të kremtes së Pashkës në mënyrë panegjirike: Krishti dërrmoi pushtetin e vdekjes dhe ndriçoi gjininë njerëzore. Ky fakt ndryshoi rrënjësisht ecurinë e botës, perspektivën dhe dinamikën e jetës sonë”, shprehet Anastasi. a.k/noa.al
TRANSMETIM LIVE
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





