

Shqipëria ka një borxh mesatar publik prej 62 % të Prodhimit të Brendshëm Brutto. Banka Botërore në Takimet e Pranverës 2013 me FMN konstaton se borxhi mesatar publik pothuajse është dyfishuar në Evropën Qendrore dhe Ballkanin Perëndimor në krahasim me vitin 2008, duke arritur nga 28,3% në atë vit në 45,5 % në vitin 2012, raportohet në një artikull të Deutsche Welle.
"Borxhi mesatar publik është në nivele me mundësi rreziku dhe përbën një barrë të rëndë për financat publike në Hungari-76 për qind, Shqipëri- 62 për qind, Poloni – 56 për qind, Serbi- 54 për qind, Kroaci dhe Slloveni- 53 për qind” konstaton Banka Botërore, në deklaratën e saj për shtyp, në përfundim të Takimeve të Pranverës, 2013, të zhvilluara në Uashington. Në këtë listë rreziku për financat publike Shqipëria renditet e dyta. Çfarë do të thotë "rrezik dhe barrë e rëndë" për financat publike?
Erjon Luci, ekonomist në Zyrën e Bankës Botërore në Tiranë ka thënë në një intervistë për Deutsche Welle se, "pak hapësirë për të manovruar dhe përgjigjur goditjeve të krizës dhe kosto e lartë e shërbimit për borxhin. Shqipëria shpenzon rreth 3,3 % të PBB-së çdo vit për të paguar interesat e borxhit publik i cili mund të përdoret për qëllime më produktive si për shembull për investimet publike. Vërtet, një pjesë e mirë e borxhit publik është krijuar në fakt nga investimet publike. Kthimi i tij në i formën e ritmeve më të larta të rritjes së PPB do të duhej të mbulonte pagesën e përqindjes së borxhit publik. Ndërkohë, nëse ritmet e rritjes së borxhit publik lënë pas ato të rritjes së PPB , tregjet financiare mund të vendosin që është shumë e rrezikshme të financojnë këtë borxh nëse ai dështon të prodhojë rritje ekonomike."
Për dr. Zef Preçi, ekspert në fushën e ekonomisë, Drejtor i Qendrës Shqiptare për Studime Ekonomike, financat publike të Shqipërisë kërcënohen edhe nga mundësia e një rritjeje të pakontrolluar të inflacionit dhe zhvlerësimit të pasurive kombëtare. "Shqipëria po vuan simptomat e krizës greko- qipriote. Kriza është e pranishme, edhe pse ka ardhur me vonesë: ka rritje ekonomike, pothuajse afër zeros, rritje të informalitetit, të invazionit fiskal, arka e shtetit është bosh, nuk ka asnjë mundësi për të marrë borxh dhe ka mundësi të kufizuara për investime. Nuk ka privatizime, privatizimet e mëdha janë shtyrë, nuk ka investime të huaja që të kompensojnë mosmbledhjen e taksave, pasi në tremujorin e parë të këtij viti ka një rënie në mbledhjen e taksave në raport në 2012-ën", thotë dr. Zef Preçi.o.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





