Transmetuar më 04-05-2013, 17:19

Tiranë, NOA.al – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ishte sot paradite në pjesën lindore të Tiranës aty ku nis rruga për në Parkun e Dajtit ku zhvilloi bashkëbisedime me qytetarët që takoi nëpër rrugë.

Duke denoncuar edhe një herë mashtrimin e qeverisë me rrugët kreu i Partisë Socialiste tha se, “Qeveria thotë se ka bërë 10 400 kilometra rrugë. Kjo është rruga nacionale që lidh kryeqytetin me parkun kombëtar të Dajtit dhe në këtë rrugë zvarriten dhjetëra mijëra qytetarë, qoftë ata që vijnë këtu sepse banojnë këtu, qoftë ata që kalojnë këtu sepse duan të shijojnë parkun kombëtar.”

“Kjo situatë skandaloze nuk paraqitet në ndonjë zonë të thellë malore, por në periferi të kryeqytetit, në një aks që shfrytëzohet pothuajse nga gjithë qytetarët e Tiranës për të shkuar drejt malit të Dajtit”, shtoi më tej ai.

Sipas Ramës, gjendja e asaj rruge është shprehja më kuptimplotë e faktit se sa rrugë janë ndërtuar në të vërtetë dhe se ku kanë shkuar paratë e popullit shqiptar. “Ja kjo rrugë dhe shumë të tjera. Rrugët në Shqipëri kanë mbetur rrugëve dhe Shqipëria ka mbetur rrugëve, ndaj në 23 qershor këta duhet të hapin rrugë”, vijoi më tej kreu i opozitës.

Në vijim të denoncimeve për mashtrimet e qeverisë, Partia Socialiste prej një jave ka publikuar tabelat përmbledhëse që vërtetojnë faktin se qeveria e kryeministrit në ikje ka bërë gjithsej 1515 km rrugë.o.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit