

Ramush Haradinaj është rizgjedhur kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Kuvendin e Gjashtë Zgjedhor të kësaj partie. Ai në Kuvendin e VI zgjedhor të kësaj partie, në të cilin morën pjesë gjithsej 404 delegatë, siguroi 403 vota. Një votë është shpallur e pavlefshme. Në këtë garë Haradinaj, nuk kishte kundërshtarë në garë. I pranishëm në këtë kuvend nuk ishte askush prej tri partive më të mëdha në Kosovë, PDK-së, LDK-së dhe Vetëvendosjes. Haradinaj kritikoi pushtetarët aktualë, për mashtrim të qytetarëve, ndërsa theksoi se me AAK-në, Kosova do ta ketë një qeverisje çfarë nuk është parë deri më tani. Ai hodhi akuza në drejtim të qeverisë Thaçi, duke thënë se politika aktuale në pushtet, ka manipuluar dhe mashtruar në vazhdimësi qytetarin e vendit. Haradinaj, siguroi qytetarët e Kosovës, se në rast së AAK merr pushtetin, ky trend i mashtrimeve do të ndalet dhe se gjendja e rëndë socio-ekonomike në vend do të përmirësohet dukshëm. Haradinaj, ka pohuar se deri sa partitë tjera po përdorin teknika mashtruese për ta marrë votën e qytetarit, AAK po punon në mënyrë të përkushtuar që të krijojë politika të cilat do ta nxjerrin Kosovën nga gjendja, e cila, sipas tij, është shumë e rëndë, si në aspektin ekonomi, po ashtu edhe social. “Me Aleancën do të ndodh në Kosovën tonë për herë të parë ajo që s’ka ndodh deri më sot. Një qeverisje e vërtetë zhvillimore, pa korrupsion, pa mashtrime, pa dogma të zbrazëta, pa varfëri ekstreme. Por, me një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, bazuar në resurset që i ka Kosova, bazuar në partneritetin ekonomik që do ta zhvillojmë me partnerët strategjik ekonomik”, ka thënë ai.o.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





