Transmetuar më 04-05-2013, 15:44

Alex Dhima, një 11-vjeçar shqiptaro-amerikan, ka fituar Çmimin Aktori Më i Mirë, në Campus MovieFest.  Ai ka luajtur në filmin me metrazh të shkurtër “Wishbone”, në të cilin ka rolin e një djali që keqtrajtohet nga fëmijë të tjerë në shkollë. Kjo temë sociale e të përditshmes amerikane ka pasur shumë viktima fatale në jetën reale dhe filmi ndonëse i shkurtër nuk kursen asnjë emocion, citon noa.al gazetë Ilyria që botohet në New York.

Filmi është prodhuar nga “Part Time Creative” dhe “Shanahan Films”, i shkruar dhe realizuar nga dy talentet e reja, Michael Shanahan dhe Mac Capen, njëkohësisht dhe regjisor.

CMF u mbajt këtë vit në Bridgewater State University. Nga 92 filma me metrazh të shkurtër, që u pranuan për konkurrim, vetëm 16 u zgjodhën për t’u shfaqur gjatë festivalit, një nga këto ishte “Wishbone", që fitoi edhe çmimin si Filmi më i mirë.

Campus MovieFest (CMF) është festivali më i madh në botë i filmave të studentëve dhe ka si mision të zbulojë dhe prodhojë gjeneratën e re të kinematografëve amerikanë. Në 12 vitet e fundit, CMF është rritur duke tërhequr qindra mijëra vetë nga dhjetëra shkolla, institute e qendrash studimi të filmit dhe aktrimit.

Ndonëse më i vogël në moshë se çdo pjesëmarrës tjetër në festivalin e këtij viti, 11-vjeçari Alex Dhima arriti të fitojë çmimin e lakmuar, të Aktorit më të mirë, duke u shquar edhe vetë si një nga figurat e mundshme të gjeneratës së re të talenteve të industrisë shumëmiliardëshe të filmit amerikan.

Alex ka luajtur në disa role në kinematografi deri më tani si dhe është dëshmuar si pianist dhe kompozitor. Ai e ka zhvilluar recitalin e tij të parë qysh në moshën 7 vjeç dhe së fundi ka zbuluar edhe pasionin e tij për aktrimin.o.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit