Transmetuar më 04-05-2013, 10:36

Tiranë, 4 maj 2013, NOA – Kisha Ortodokse në Shqipëri ka publikuar mesazhin që Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi do të lexoj sot për gjithë besimtarët në shërbesën e meshës së Pashkëve në orën 23:00.

Kreu i kishës ortodokse uron gjithë besimtarët për këtë festë dhe bën apel  për më shumë dashuri dhe optimizëm. “Vëllezërit e mi, sado që epoka jonë është shpesh e errët, e mbushur me  pasiguri, hidhërim dhe shqetësim, të mos e lejojmë trishtimin dhe dëshpërimin të sundojnë në shpirtin tonë. Përkundrazi, le t’i përgjigjemi me besim ftesës paskale: “Ejani të ngazëllohemi më Zotin, i cili shtypi pushtetin e vdekjes dhe ndriçoi gjininë njerëzore”. Krishti i Ngjallur, dërrmoi pushtetin e vdekjes, -na siguron e kremtja e sotme, – dhe vazhdon të shpërbëjë çdo frymë vdekjeprurëse frike, mëkati, sëmundjeje, padrejtësie. Le ta fuqizojmë njëri-tjetrin me dashurinë, besimin, optimizmin dhe solidaritetin”, thuhet në mesazhin e Kryepeshkopit Anastas.

Ai vlerëson dhe rëndësinë që ka për besimtarët ortodoksët festimi i Pashkëve në Katadralen e re. “Veçanërisht ne, orthodhoksët në Shqipëri, le të lavdërojmë Perëndinë sepse sivjet na denjësoi të kremtojmë në këtë kishë katedrale madhështore, që mban emrin “Ngjallja e Krishtit”, dhe ofron vend për meditim, lutje, ngushëllim dhe solidaritet”, shprehet Anastasi.

Pashka, për më tepër, është një e kremte që e ndiejnë dhe e shijojnë jo vetëm besimtarët, por edhe njerëzit që ndodhen në kërkim e sipër, që lëkunden midis besimit dhe të besuarit të paktë.

Krepeshkopi Anastas Janullatos shprehet se koha e sotme është e turbullt, por lajmi i gëzueshëm është ringjallja e Krishtit. “Kjo ftesë, në pamje të parë duket paradoksale, se injoron realitetin, ku na mbyt një atmosferë e turbullt, e mbushur me pasiguri, varfëri e shkurajim. E megjithatë, pikërisht kjo ftesë paskale na ndihmon të kuptojmë dhe të pranojmë një realitet tjetër. Sado dëshpëruese të jenë kushtet e sotme të jetës, ekziston një lajm i gëzueshëm i përjetshëm, të cilin Kisha e shpall gjatë të kremtes së Pashkës në mënyrë panegjirike: Krishti dërrmoi pushtetin e vdekjes dhe ndriçoi gjininë njerëzore. Ky fakt ndryshoi rrënjësisht ecurinë e botës, perspektivën dhe dinamikën e jetës sonë”, shprehet Anastasi.

a.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit