Transmetuar më 04-05-2013, 08:12

Kjo është hera e dytë që ndodhem në ambjentet universitare të Prishtinës. Në vitin 1999 erdha këtu si Kryeministër hipur mbi një helikopter britanik. Në atë kohë kryeqyteti i Kosovës ishte i sapo cliruar nga ushtria serbe dhe dukej sikur jetonte një ëndër të pamundur. Nga Pandeli Majko Vizita ime ishte edhe më “cuditëshme” pasi ajo përvecse ishte vizita e parë e një kryeministri të Shqipërisë nga viti 1912 kishte edhe një arsyetim të cuditshëm. Përballë kancelarive perëndimore ajo ishte justifikuar si vizitë “familjare” pasi unë po vija të kërkoja dorën e një vajze nga Prishtina tek familja e saj për vëllanë tim më të vogël… Për hir së vërtetës miqtë që më njihnin qeshën me këtë “arsyetim” të vizitës sime të parë në Kosovë ndërsa pati edhe të tjerë që punuan që ajo të mos ndodhte. Helikopteri i komandantit britanik të NATO-s në Tiranë mi zgjidhi problemet. Ky fluturim drejt Kosovës ishte në fakt udhëtimi im i jetës. Shikoja nga dritarja e helikopterit tokën poshtë dhe dridhesha nga emocioni. Mbaj mend që dikush më tha: “Kaluam kufirin!”…Nervoz reagova me pyetjen: “Ku e di ti që kaluam?”. Ma shpejguan se kufiri dallohej nga mbarimi i “zhubravitjes” së maleve të Shqipërisë dhe hapjes si një qylim i madh natyror i fushës së Kosovës. Kur e kuptova këtë fillova të thith me sy gjithshka cfarë më shikonte syri. Mu mbushën sytë në një moment dhe në tjetrin nuk di pse mu përplas në mendje shprehja “Këta, na paskan marrë pjesën më të mirë të atdheut!…” Mos u cudisni po t’ju them se në këtë shprehje nuk po mendoja vetëm për serbët. Po mendoja shumë gjëra me fjalën “Këta”. Aty ishte edhe Serbia por ishte edhe ajo mjegull kohe gati 100 vjecare që e kishte hedhur kombin tonë si plackë në tregun e zi të Ballkanit. Ne shqiptarët kemi qenë një komb gjysëm i varrosur në gropat e interesave të fqinjëve tanë. Shteti shqiptar ishte vec një kujtim i asaj që duhej të ishte. Shqiptarët nuk ishin me fitimtarët e Luftës së Parë Botërore. Austro-Hungaria që ishte lobuesja kryesore e interesave të shqipatrëve në rajon pushoi së ekzistuari si shtet. Italia u përfshi në cështjen shqiptare si një shtet ku mungonte eksperienca e influencës në Ballkan. Ajo me politikën emotive të saj bëri që në bisedimet e pasluftës të nxiste krijimin e Jugosllavisë dhe aleancën e kësaj të fundit me Greqinë në cështjet rajonale. Politikani shqiptar që mbajti krahun e fituesve të Luftës së Parë ishte simboli i tradhëtisë kombëtare në historinë shqiptare. Ai quhej Esat Pashë Toptani. Në Luftën e Dytë Botërore shqiptarët që ishin me fituesit e Luftës përqafuan ideologjinë komuniste dhe u rreshtuan me kampin e Lindjes. Historia e shqiptarëve ka qenë me konkluzione fataliste në momentet kur është diskutuar ndryshimi i satuskuosë rajonale. Me një elitë politike skeptike dhe pa shumë respekt për veten, kombi shqiptar ka ecur në linjën e rrethanave të kontratave personale të liderëve të tij. Kjo e bën vështirë të dallueshme në historinë tonë kombëtare ndarjen e interesit kombëtar dhe interesit personal të politikës. Po ashtu nuk mund të shmangësh konkluzionin se fqinjët e shqiptarëve kanë qenë të sukseshëm për të nxitur karierat e liderëve shqiptarë të lobuar dhe me status ndërkombëtar të cënuar. Shqiptarët për një kohë të gjatë kanë qenë një hije të lojës së fqinjëve. Ata nuk kishin në drejtimin  e tyre politikanë të fortë që të diskutonin një paraqitje interesash shqiptare në funksion të balancës rajonale. Shqiptarët trajtoheshin si një komb i tepërt në skakierën ballkanike. Interesi permanent i vëmendjes ndërkombëtare ndaj shqiptarëve ka qenë se kush do ishte qeveritari i rradhës që do të mbante të “qetë” kombin luftarak dhe më kryengritës të rajonit. Shqiptarët filluan të shqetësojnë seriozisht rajonin dhe kancelaritë perëndimore kur nga auditoret e Universitetit të Prishtinës filluan demonstrimet e vitit të paharrueshëm 1981. Për herë të parë në historinë moderne të europës shqiptarët filluan të shikoheshin si një komb që nuk fillonte dhe mbaronte tek Trana zyrtare. Pikërisht këtu fillon arsyeja e ripërsëritjes së pyetjes së “frikshme” në rajon që daton me Lidhjen e Prizrenit. Ajo ishte: “Cfarë duan shqiptarët?”. Pyetja ishte e thjeshtë por edhe e rëndë në kuptimësinë e saj. Nga viti 1981 shqiptarët megjithëse të stigmatizuar nga kundërshtarët për dobësitë dhe të metat kolektive të njohura nuk kanë njohur beteja të humbura që prej atij viti. Stacionet e ndryshimit kanë qenë kaq të shpejta sa edhe vetë cilësia e kërkesës shqiptare për të fituar barazinë në një rajon ku ata janë konsideruar vetëm si matematikë. Kryeministri i Serbisë Dacic në një diversion mediatik deklaroi ditë më parë se “serbët duhet të kryejnë kolektivisht “harakiri”  në se Shqipëria ja kalon në rrugën e integrimit europian. Dhe vazhdoi arsyetimin se Shqipëria është sinonim i një vendi me standart të ulët jetësor. Kur e lexova për herë të parë mendova shkurt me pyetjen “Cfarë deliranti që qenka?!” …Pastaj e ndryshova opinionin. Në deklaratën e Dacicit kuptova ankthin serb të thënë me naivitet nga një kryeministër jo shumë i zgjuar. Një analizë e thjeshtë se si ishin shqiptarët dhe serbët në fillimin e viteve 90-të dhe si janë sot përballë njëri-tjetrit është vërtet ofenduese për konsideratën që serbët kanë ndaj vetvetes. Ideja rraskapitëse se integrimi europian i Serbisë kalon dhe do të kalojë nga Prishtina dhe marrëdhëniet me shtetin e Kosovës është e paimagjinueshme për “strategët” serbë. Marrëveshja e Kryeministrave respektivë të Prishtinës dhe Beogradit i ka veshur interesave serbe “këmishën e forcës”. Me pak humor, tani dhe të duan të bëjnë “harakiri” nuk bëjnë dot… Unë nuk hyj tek entuziastët e marrëveshjeve me Beogradin. Nuk jam naiv dhe e di që kompromiset kanë pjesën e “hidhur”. Jam i bindur se strategjia e radikalizmit serb dëshiron në Kosovë një statuskuo të ngrirë në pritje të rastit dhe kohës së duhur për ta ndryshuar në favor të tyre. Serbët kanë treguar se “pritjen” e kanë cilësi kombëtare. Si njohës modest i marrëdhënieve ballkanike mendoj se nuk ishte dëshira personale e shqiptarit Thaci dhe serbit Dacic firmosja e marrëveshjes dypalëshe Kosovë-Serbi. Kjo marrëveshje në thelb është plani europian me mbështetjen amerikane për të ardhmen e marrëdhënies më problematike në rajon. Në marrëdhënien e re kontraktuale shqiptaro-serbe i takon Prishtinës të jetë protagoniste. Padyshim që kjo marrëveshje është në një proces ende të panisur në praktikë. Serioziteti i Beogradit përballë “kontratës” me Prishtinën është i barazuar me respektin politik dhe juridik që Serbia do ketë karshi Bashkimit Europian. Kjo nuk është pak si fillim. Pushtetarët serbë do të përpiqen të mjegullojnë marrëveshjen Prishtinë – Beograd dhe konkluzionet e pakthyeshme të saj. Fakti i parë juridik që Prishtina zyrtare mori pas kësaj ngjarjeje ishte lajmi që Komisioni Evropian miratoi rekomandimin për fillimin e negociatave për marrëveshjen e stabilizim-asocimit mes BE dhe Kosovës. Kjo marrëveshje nuk mund të bëhet me një “krahinë” por vetëm me një shtet. Ky është një nga efektet e pakthyeshme të stabilizimit të mëtejshëm ndërkombëtar të shtetit të Kosovës që prodhoi marrëveshja Prishtinë – Beograd. Eshtë e pritshme që qarqe të caktuara ndërkombëtare të shtojnë presionin ndaj shtetit të Kosovës për ta trajtuar marrëdhënien me Serbinë si më të rëndësishmen për të ardhmen e vet. Mendoj se elita politike e Prishtinës do të dijë të sillet në cilësinë dhe risitë që sjell marrëveshja europiane me Beogradin pa shmangur prioritet e tjera të saj. Padyshim si teknikë politike gjithmonë konflikti është më i “lehtë” se marrëveshja. Bota shqiptare është një ambjent diskret dhe me sfida të shumta. Shqiptarët e Maqedonisë mes një debati të ashpër brenda palëve të veta politike realizuan një fitore cilësore në zgjedhjet e fundit lokale. Kercova dhe Struga u bënë simbolet e forcës së votës shqiptare. Ato identifikuan një qartësi të efektshme të ndërlidhjes së patriotizmit me politikën. Qindra emigrantë shqiptarë përshkuan me avjonë kilometra distancë në zgjedhjet e fundit lokale duke ju përgjigjur sfidës së bashkimit të partive sllavomaqedonase kundër kandiatëve shqiptarë. Pa këta emigrantë fitorja nuk do të buzëqeshte për shqiptarët me atë cilësi që ndodhi. Eshte fakt se nuk ishin programet e partive që vendosën atë që ndodhi. Ishte patriotizmi dhe një model i ri shqiptari votues që po troket në dyert e politikës. Kjo që po ndodh, për kushtet politike të Maqedonisë po rrezikon të ofrojë “vdekje klinike” të alternativave partiake “të majta” apo “të djathta”. Në Shkupin politik kemi një evolucion i cili po shënon një ndarje politike të bazur në ndarjet etnike. Eshtë ende herët për të folur për konkluzione shterruese rajonale por dukshëm dhe qartë nacionalizmi po kthehet në një ideologji partiake fitimprurëse. Varfëria e politikës dhe mungesa e identitetit ku të gjithë palët politike duket sikur flasin të njëjtën gjë ka futur fjalorin nacionalist në bursën e politikës. Sot në Tiranë mund të bësh lirshëm majtas edhe djathtas aleancë me partitë komuniste dhe nuk shqetësohet askush. Një aleancë me komunistët do ngrinte furtunë mediatike dhe politike një dekadë më parë. Prioritetet kanë ndryshuar dhe “ideologjia e fortë” që shqetëson edhe miqtë tanë ndërkombëtarë është nacionalizmi dhe marrëdhënia e saj me politikën shqiptare. Nacionalizmi po shikohet me shqetësim nga një pjesë e politikës shqiptare dhe trajtohet si një “libër i ndaluar” që mund të dëmtojë sidomos brezin e ri të shqiptarëve. Mendoj se kjo është mënyra më gabuar për ta parë këtë cështje. Fshehja pas gishtit dhe tregimin e nacionalizmit si një virus antieuropian është i gabuar. Pse vallë duhet të shihet Europa si “gogol” ku shqiptarët do lënë jashtë dyerve të saj “rrobat” e identitetit të tyre për të marrë një identitet tjetër “europianist”?! Kjo në rastin më të mirë do të thotë ta ofrosh ëndrën europiane të shqiptarëve si një ushtrim psiqik të mohimit të vetes. Bashkimi Europian ka provuar se ai u ofrohet kombeve si pohim i vetevetes dhe jo e kundërta. Brenda tij gjermanët ndihen më gjermanë, po ashtu francezët, britanikët, italianët, grekët dhe në fund edhe kroatët. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me shqiptarët. Cili është problemi me nacionalizmin e shqiptarëve? Kaq i keq qenka ai?! Po të lexosh analizat më të ftohta historike të nacionalizmit shqiptar ai ka qenë një fenomen reagues më shumë se sa një axhendë aktive me plan të paracaktuar. Nacionalizmi shqiptar nuk i bashkëlidhet fesë dhe as merr nga ajo metodën e të vërtetës absolute. Ai është racional dhe një kalkulim mental shqiptar i cili mbivendoset në një histori politike vendase të mbushur me probleme. Nacionalizmi shqiptar është një standart i cili nuk shfaqet agresiv karshi fqinjëve por lidhet me virtytin e mbijetesës historike të kombit shqiptar ndaj agresionit mbi të. Nacionalizmi shqiptar është patriotizëm dhe vetdijë. Ai është bazë solide për identitetin kombëtar dhe refuzues ndaj një bote të turbullt dhe me oferta të “forta” konfliktuale përqafimi të cilave nga shqiptarët mund të turbullonte të gjithë rajonin. Pyetja “Cfarë duan shqiptarët?!” është një pyetje e vjetër dhe që kërkon përgjigje të reja. Shmangia nga përgjigjet realiste nuk vjen duke goditur nacionalizmin shqiptar dhe as duke krijuar politikanë “roje” për të ashtuquajturin moderim të shqiptarëve.

Të dashur miq

Para ca ditësh, në Shkodër, në një aktivitet të Partisë Socialiste Europiane, opinioni publik në Kosovë dhe më gjerë u shqetësua pasi pa atje ish-presidentin serb Tadic si pjesëmarrës në të. Në fillim, nuk e fsheh që shqetësimin për këtë ngjarje e mora pak lehtë. Pastaj reflektova dhe mirëkuptova se në prag të zgjedhjeve të pritshme në Tiranë shqetësimi i publikut në Kosovë ishte i lidhur edhe me pyetjet e reja dhe të vjetra: Cfarë po vjen në pushtet në Tiranë? A ka rrezik të vinë vallë “miq të shkjaut” në pushtet në Shqipëri? Cfarë do të bëni ju socialistat me interesat kombëtare? Këto dhe pyetje të tjera i mirëkuptoj mjaft mirë. Nuk ndihem keq. Tradhëtia dhe dyshimi është pyetja më e vjetër e shqiptarëve të Kosovës për Tiranën. Kjo jo për faj të tyre. Ajo për mua është pyetja e popullit tim. Shqiptarët kanë qenë një popull shpesh i tradhëtuar nga politikanët e vet sidomos në Tiranë. Të mësuar nga e kaluara e turbullt publiku shqiptar është i prirur të jetë mosbesues. Varfëria e ofertave politike të partive shqiptare cilat ushtrohen vetëm tek proceset e integrimit europian dhe në anëtarësimin në Nato janë jo shumë të qarta për kërkesat e brezit të ri në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e më gjerë në rajon. Cështja e integrimit mbarëshqiptar është një doktrinë politike ende në zhvillim ndaj së cilës duhet të dalim ballas. Eshtë ironike që sot më shumë flitet për axhendën e teknikaliteteve me Brukselin se sa për cështjen e integrimit të shqiptarëve tek njëri tjetri. Mendoj se ato nuk janë aspak kundërshtuese, përkundrazi. Elitat shqiptare të ndara në shtete të ndryshme kanë axhenda të ndryshme administrative por strategjia e së ardhmes është ende pa kordinata të qarta. Kjo natyrshëm bën që përfaqësues të faktorit ndërkombëtar shpesh të pyesin konfidencialisht “Cfarë duan shqiptarët?” Pyetja vjen nga teknika e thjeshtë e vlerësimit nga ata që i shohin shqiptarët nga jashtë. Paqartësisë e veprimit politik të botës shqiptare krijojnë idenë e një “plani të fshehtë” shqiptar për rajonin. Kundërshtarët gjeopolitikë të shqiptarëve flasin me “kompetencë” për planet e krijimit të Shqipërisë së madhe. Kjo histori vlen të shihet ashtu si është. Ato e kanë bërë punën e vet me krijimin e një ndjenje fajësie të pashpallur e cila po kriminalizon dëshirën e shqiptarëve për të pasur midis njëri-tjetrit një marrëdhënie të standartit europian. Eshte  krijuar një paragjykim për fjalën “naconalist” dhe duket sikur aty fle shkaku i të metave tona kombëtare përballë perëndimit. Dhe kur duan ti hedhin ndonjë ironi politikanët njëri-tjetrit në Tiranë arrijnë të thonë edhe fjalinë “Mos të vijë keq, por je pak nacionalist!”. Ky trajtim i nacionalizmin si të jetë nënprodukt korruptiv i bërjes politikë po godet thelbin më të mirë të tij që është patriotizmi. Kjo është për të vënë duart në kokë. Moskuptimi i kohës që jeton është drama e politikës shqiptare. Ajo, sidomos në Tiranë, ka prodhuar vonesa me inferioritetin mosangazhues karshi publikut shqiptar. Justifikimi i vetëm, për momentin, i politikës mbarëshqiptare është ironikisht realizimi i abetares së përbashkët… Abetarja e përbashkët në Shqipëri dhe Kosovë është shembulli më elokuent se sa mbrapa jemi përballë njëri-tjetrit. Atë që duhet ta kishim strategji publike të veprimit në kohë dhe hapësirë e kemi të reduktuar vetëm me një ofertë për kalamajtë e klasës së parë. Në këtë zbrazëti dhe mungesë veprimi pyetja e një të riu shqiptar të paqartë sa nga heshtja aq edhe mungesa e vizionit ka të moralshme pyetjen “Pse nuk…bashkohemi!?” Pas kësaj pyetje vjen rradha e politikanëve të hidhen përpjetë dhe që heshtën për atë që duhej të bënin. Ligjërata kundërshtuese fillon me pyetjen “Po si guxon të thuash dicka që na prish me ndërkombëtarët?!…” Absurdi i këtij reaksioni social e lidhur me kërkesën e shqiptarëve të rinj për të jetuar si europianët trajtohet dhe konsiderohet si antieuropiane. Dhe ky është vetëm fillimi. Ky debat merr inercinë e propagandës duke u ndarë në “pro” dhe “kundra” bashkimit teritorial. Nën presionin e tij, në fakt, harrohet arsyeja bazë se përse ajo filloi. Mungesa, vonesa dhe harresa e politikës përballë identitetit të ri shqiptar që lindi sidomos pas pavarësisë së Kosovës është arsyeja që jemi në prag të një divorci midis rinisë dhe politikës. Kjo sapo ka filluar. Unë nuk mund ta fyej veten duke bërë sikur nuk e kuptoj. Kariera ime politike ka filluar me lëvizjen studentore të 1990-ës. Di të kuptoj se në situatën e krijuar nuk është fajtor patriotizmi i rinisë shqiptare. Ai është kryesisht patriotizëm europian. Vonesat e politikës mund ta cojnë orientimin nacionalist shqiptar në drejtimin e gabuar. Kjo po bën që fajtorë të shpallen ata që janë të pafajshëm në besimin e tyre drejt një ëndre kombëtare të cliruar nga ankthi dhe ligjërimet pa kuptim. Nacionalizmi mbart brenda vetes një energji shoqërore të paimagjinueshme në rajonin tonë. Do të ishte e pafalshme lëshimi i saj në duar të papërgjegjshme nga frika se po gabohet. Në fakt gabimet në këtë situatë janë më të mirëkuptuara se sa mosveprimi. Rreziku i shmangies së nacionalizmit patriotik si fenomen dhe instrument të politikës duke e shpallur atë të “paligjshëm” do të bëjë të kundërtën. Kthimi i nacionalizmit si cilësi e antipolitikës do të rrezikojë që në një cikël krize të zgjatur ta shkatërrojë elitën politike shqiptare. Nuk po flas për “ripërtëritje” por për shkatërrim. Elitat politike shqiptare janë ende në brezin e tyre të parë. Pavarësisht të metave apo dështimeve të tyre ato mbeten një strukturë proeuropiane dhe garanci e konfidencës perëndimore ndaj shqiptarëve. Po të hedhësh sytë përreth në rajon është fakt se radikalizmi që ka pjellë rrënimi i politikës profesioniste të moderuar ka nxjerrë në pah formacione ekstreme politike sic janë neonazistët në Greqi, radikalët sllavo-nacionalistë në Serbi dhe Maqedoni dhe deri tek ato më të moderuara sic është lëvizja e ish-humoristit Pepe Grillo në Itali. Këto lëvizje politike kanë të përbashkët reaksionin por jo aksionin. Ato dinë vetëm cfarë nuk duan. Ato po kthehen në “vrima të zeza” të mosfunksionimit të politikës dhe vendimarrjes kombëtare. Ato janë kërpurdha të frikshme në një ambjent social ku ka vdekur shpresa. Politika shqiptare ka përballë vetes sfidën e lidhjes së saj të natyrshme me nacionalizmin patriotik. Eshtë koha që ajo të formulojë pohimet e veta për të ardhmen. Kjo nuk është një sipërmarrje e lehtë. Lidhja e politikës me nacionalizmin do të duhet të mos degradojë marrëdhëniet e shqiptarëve me fqinjët e vet. Refuzimi i fqinjit si realitet praktik dhe gjeopolitik nuk na con askund. Pohimi se e mirë quhet vetëm ajo që pëlqejmë është naiv. Strategjia e shqiptarëve mendoj se nuk do ti afrohet fqinjëve si një model estetik. Ai do të jetë një llogari e ftohtë dhe e kalkuluar ku përfitimet janë reciproke dhe ku palët nuk ju ngjajnë familjeve të divorcuara ku diskutohet “atësia” e asaj që ka ndodhur. Publiku shqiptar pavarësisht interpretimeve është i vëmendshëm. Ai vuan jo për faj të tij nga një dyshim permanent karshi politikës dhe politikanëve. “Publiku shqiptar” është një shprehje e vjetër që po funksionon në një mënyrë të re. Falë medias elektronike dhe asaj sociale, publiku i kombit më të ri në moshë të Europës nuk njeh kufij shtetërorë dhe dallime programesh politike. Ai me kalimin e kohës po funsionon me një standart impresionues në unifikimin e vet. Ky publik po ngushton dallimet psikologjike që vinë nga Tirana, Prishtina, Shkodra, Shkupi, Gjakova, Korca, Tetova, Presheva, Ulqini dhe Mitrovica duke i bërë sfidë ofertës politike të ditës. Po e përsëris, kjo është sfidë për atë që do ndryshimin dhe është frikë për atë që nuk kupton stanjacionin e mosveprimit. Në 28 nëntor të 2012 me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë u thyen protokollet shtetërore. Qyteti i pavarësisë Vlora u duk se do të lihej në plan të dytë përballë “shkëlqimit” me krem torte që ofroi kryeqyteti, Tirana. Rinia dhe populli shqiptar jashtë kufijve shtetëror e kuptuan “lodrën” e politikës së ditës. Ata dhanë një shembull të papërsëritshëm reagimi publik. Ata ndoqën rrugën e Isa Buletinit dhe zgjodhën Vlorën, kryeqytetin e pavarësisë kombëtare, jo për të shmangur Tiranën tonë të dashur. Nuk besoj se ka pasur ndjeshmëri kombëtare dhe historike më të lartë se ai miting feste në Vlorë. Në 100 vjetorin e pavarësisë shqiptarët refuzuan historinë tanimë banale me ndarjen e shqiptarëve në Jugorë dhe Veriorë. Shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Luginën e Preshevës dhe Mal të Zi u drejtuan në Vlorë në datën 28 nëntor drejt takimit me vetveten. Kemi kuptuar se pa veten tonë nuk kemi nga shkojmë. Ndaj me kënaqësi pranova ftesën për të ardhur sot këtu për të folur në kryeqytetin e Kosovës. Prishtina është edhe kryeqyteti im. Sot në 3 maj ditën botërore të medias së lirë jam i vetdijshëm se cdokush ka në jetë një ëndër që ka frikë ta tregoj. Di t’ju them se kjo që po ndodh aktualisht me shqiptarët konsiderohej aventurë në vitin 1981. Kini besim!

noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit